Drita dhe Prishtina janë zyrtarisht dy skuadrat nga Superliga e Kosovës në futboll, që do të garojnë këtë sezon në garat europiane të UEFA-s.

Në një konferencë për shtyp, FFK-ja ka treguar skuadrat që kanë aplikuar me sukses duke u pranuar dhe skuadrat që janë refuzuar për licencim për garat e UEFA-s, për këtë sezon.

Drita, Prishtina, Trepça89 , Liria, Llapi dhe Gjilani janë klubet që janë licencuar, ndërsa ekipet që janë refuzuar janë Feronikeli, Vëllaznimi, Drenica dhe Flamurtari.

Zyrtari i FFK-së, Bajram Shala tha se ky proces organizohet për herë te dytë radhazi në mënyrë të pavarur.

“Këtë edicion, prej 12 klubeve të Superligës, 10 kanë qenë pjesë e procesit, e vetëm dy jo. Dy skuadrat që nuk ishin pjesë e këtij procesi janë dy skuadrat që në aspektin sportiv janë larguar në fund të këtij edicioni nga Superliga, Besa dhe Vllaznia. Ndërkohë, të 10 klubet e tjera kanë aplikuar të paktën formalisht për të qenë pjesë e këtij procesi, e nga këto, 6 kanë pasur një aplikim të suksesshëm, që nënkupton Komisioni i shkallës së parë ka vendosur të marrin licencën për garat e UEFA-s për sezonin 2018-2019, kurse 4 prej tyre janë refuzuar dhe do të kërkojnë ta marrin licencën për edicionet e radhës”, tha Bajram Shala.

Prishtina dhe Drita janë dy klubet që do të garojnë zyrtarisht në garat e UEFA-s, por mbetet të mësohet se cila skuadër do të garojë në Champions League dhe cila në Europa League.

Top Channel