Chelsea, “shopping” te Roma. Akord me Dzekon e Emerson

22/01/2018 17:43

Do të duhen ndoshta disa ditë, që Edin Dzeko të bindet për t’u rikthyer në Premier League, por mbeten tashmë detajet e fundit për një goditje të dyfishtë të Chelseat në kryeqytetin italian.

Kur duhet edhe një javë nga fundi i merkatos së dimrit, Roma është dorëzuar në dëshirën për të mbajtur dy prej lojtarëve më të vlefshëm të saj, Edin Dzeko dhe Emerson Palmieri.

Agjenti i sulmuesit boshnjak ka diskutuar në detaje transferimin e lojtarit, që nga ana e tij mori kohë bashkë me familjen për të vendosur përfundimisht. Edin Dzeko tentohet nga ideja për të luajtur në kampionatin më të fortë në botë dhe me kampionët në fuqi të Anglisë. Por, sulmuesi boshnjak do të transferohet në Londër pa sigurinë se kush do të jetë trajneri i ri, sezonin që vjen, dhe me vetëdijen se do të jetë zgjedhje gjithmonë pas spanjollit Morata.

Roma kërkon 30 milionë euro dhe 5 milionë bonus në varësi të objektivave për boshnjakun. Ndërkohë, është më pak e komplikuar tratativa për Emerson Palmierin, që do ta çonte në 50 milionë euro fitimin e romanëve për operacionin me “blutë” e Londrës.

Duke përjashtuar surprizat, lojtari, që ka rënë më parë dakord, do të firmosë një kontratë 4-vjeçare me 2.5 milionë euro në sezon, për t’u transferuar që tani në Premier League.

Top Channel