Reali largon krizën me një rezultat tenistik

21/01/2018 18:10

Kriza e rezultateve te Reali i Madridit u duk se do të vijonte edhe këtë javë të La Ligas, kur Deportivo La Coruna, rivali i radhës që zbriti në “Santiago Bernabeu” për t’u ndeshur me “Los Blancos”-it, kaloi në avantazh në minutën e 23-të me anë të Adrian.

Por, kundërpërgjigjja e Realit erdhi më e furishme se kurrë më parë, duke shënuar plot 7 herë në portën kundërshtare, fillimisht për të përmbysur rezultatin në pjesën e parë, e më pas për t’iu dhuruar spektaklin e shumëpritur tifozëve madrilenë.

Tri dygolësha janë shënuar nga të besuarit e Zinedine Zidane, nga Nacho, Bale dhe Cristiano Ronaldo, ndërsa goli i shtatë i skuadrës u shënua nga Luka Modriç. Një triumf ky që duket se zgjon nga gjumi “merengues”-it, por që mbeten ende larg Barcelonës kryesuese, me 16 pikë më pak. Barcelona do të luajë në mbrëmje në fushën e vështirë të Betisit, ndërsa Reali gjithsesi do të ketë edhe një ndeshje tjetër për të luajtur, në përpjekje për të shkurtuar diferencën.

Top Channel