Një sallë e re teatri, ku Milto Kutali sjell “Në lindje të Berlinit”

16/12/2017 15:44

Kryeqyteti, nga e shtuna ka një sallë të re teatri, e bashkë me të edhe një premierë të re.

“Në lindje të Berlinit”, nga autorja Hannah Moscovitch e me regji të Milto Kutalit, vjen premierë absolute në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në sallën që mban emrin “Goethe”.

“Sigurisht ‘Në lindje të Berlinit’ është një nga shqetësimet tona për brezin e ri. Ne mendojmë se, sot më shumë se kurrë, opinioni publik duhet patjetër të marrë përsipër si institucion të ndërtojë marrëdhënie me brezin e ri dhe të vihet në funksion sidomos të saj”, tha regjisori Milto Kutali.

Kjo vepër kthen në skenë edhe aktorin Ahmet Pasha. Arben Derhemi në rol kryesor, por jo më në një monodramë, i flet publikut duke kërkuar reagim për një çështje të madhe, që nazizmit i bashkërendon totalitarizmin gjysmëshekullor shqiptar.

“Të gjitha familjet tona kanë dalë nga një persekucion, ndoshta jo nazist, por pak a shumë nazisto-komunist. E fatkeqësia është që ne po vazhdojmë të kemi një shqetësim shumë të madh, që ne vazhdojmë të kemi shumë probleme me nazizmin, komunizmin, demokracinë dhe disa gjëra që na shqetësojnë gjatë të gjithë kohës”, tha aktori Arben Derhemi.

Kjo shfaqje do të jetë në skenë deri më 28 dhjetor, për t’iu folur kryesisht të rinjve.

Top Channel