Rriten kuotat për peshkimin; 100 tonë në 2018

06/12/2017 15:06

Deri në fund të 2017, subjektet shqiptare që operojnë në fushën e peshkimit dhe që tregtojnë ndër të tjera edhe peshkun ton, janë të detyruara të peshkojnë, apo tregtojnë një masë totale me limit 57 ton në vit.

Lajmi i mirë për këtë sektor është se duke filluar nga viti i ardhshëm, do të ketë gati një dyfishim të kuotave, me 100 tonë.

Burime në Ministrine e Bujqësisë thone se rritja e kuotave për kapjen dhe shitjen e tonit të kuq nuk do të limitohet me kaq. ICCAT, Shoqata Ndërkombëtare që rregullon kuotat e secilit shtet në këtë rast, ka dhënë dakordësinë që anijet shqiptare të peshkimit të mos limitohen me masën 100 tonë në vit për tonin e kuq.

Sipas informacioneve që Top Channel mori në Ministrinë e Bujqësisë, kuotat do të pësojnë një rritje tjetër dy vitet e ardhshme. Në vitin 2019, limiti do të shkojë në 140 tonë dhe në 2020 masa limit për kapjen dhe eksportimin e tonit të kuq do të jetë 180 tonë në vit.

Kjo rritje e kuotave që pas dy vitesh do të jetë thuajse e trefishuar me ato aktuale, mendohet të ketë impakt pozitiv në këtë sektor të ekonomisë, ku aktualisht janë të punësuar rreth 3 mijë persona: do të rrise fitimin, e gjithashtu edhe punësimin.

Monitorimi i kapjes së tonit të kuq dhe tregtimit të tij do të bëhet nga organizata ndërkombëtare ICCAT nëpërmjet inspektorëve të saj, që do të asistojnë të gjithë flotën shqiptare gjatë të gjithë procesit, që nga kapja në det e deri tek tregtimi i tij.

Top Channel