Taksa e pronës do të rritet/ Propozohet projektligji, do të përafrohet me vlerën e tregut

18/06/2026 20:34

Taksa e pronës do të ndryshojë rrënjësisht. Sa më e shtrenjtë të jetë prona dhe sa më afër qendrave urbane të ndodhet, aq më shumë taksë do të paguajë pronari.

Qeveria ka hedhur për konsultim një projektligj të ri që synon ta lidhë taksën e pronës me vlerën reale të tregut.

Sipas argumentimit të Ministrisë së Financave, sistemi aktual krijon padrejtësi, pasi prona me sipërfaqe të ngjashme paguajnë pothuajse të njëjtën taksë edhe kur vlera e tyre në treg është shumë e ndryshme.

Reforma synon që barra fiskale të reflektojë më mirë vlerën e pronës dhe aftësinë paguese të pronarit.

“Është për tu përgëzuar ky përafrim me vlerën e tregut pasi nxjerrë më në pah dhe çmimet aktuale. Duke qenë se deri më sot përllogaritej sipas sipërfaqes së pronës. Bën një sistem më të drejtë”, tha Reinaldo Pipiria-shoqata NAREA.

Përveçse taksimi do të bëhet në bazë të vlerës që ka prona në treg, do të ndryshojë edhe tarifa, nga 0.05% që është aktualisht në 0.1% -0.2% e vlerës së saj.

Përmes këtij projektligji vendi ndahet në 7 zona, që do të përdoren për të reduktuar tatimin për banesën e parë.  Projektligji parashikon që banesa e parë të përfitojë deri në 50% e vlerës të përjashtuar nga taksimi, brenda kufijve të përcaktuar për secilën bashki.

Kjo do të thotë se për pjesën më të madhe të familjeve, rritja e taksës synon të zbutet. Ndërkohë, për banesat e dyta, të treta apo pronat e mbajtura si investim nuk aplikohet ky favorizim, duke bërë që barra më e madhe të zhvendoset tek ata që zotërojnë më shumë pasuri.

“Ka përfshirë përjashtime për banesën e parë me një diferencim nga kryeqyteti me periferinë. 11 herë diferenca ndërkohë mund të ishte ndryshe përjashtohen 50%. Prona të ndryshme vlejnë ndryshe në qytete të ndryshme dhe mund të kesh prona si në bregdet vlejnë më tepër sesa Tirana dhe ke lejuar të përjashtohen më pak dhe jeta e banorëve në zona turistike më e vështirë.”

Por sipas drejtuesve të shoqatës së pasurive të paluajtshme në vend ky projektligj ka disa përplasje me kapituj të BE.

“Me një vështrim të ligjit ka disa përplasje si kapitulli 4 lëvizja e lirë e kapitalit kapitulli 3 konkurrenca dhe ndihma shtetërore përjashtimi i branave me 5 vite për 10 vite nga taksat kapitulli 16 me tatimet, 23 gjyqësore dhe të drejtat themelore. Me një vështrim janë 5 kapituj t’i konsiderojmë se kanë përplasje.”

Projektligji parashikon një sërë kategorish në nevojë që do të përjashtohen nga taksimi përfshirë këtu pensionistët, banesa sociale etj. Por ekspertët e tregut sugjerojnë futjen e një sërë kategorive të tjera si nëna e ve, nënat me shumë fëmijë, familjet me fëmijë me aftësi ndryshe.

Taksa mbi pasurinë e paluajtshme do të mblidhet në përputhje me këtë ligj nga viti 2029 për njësitë e ndërtesave dhe nga vitit 2031 për parcelat.

Top Channel