Ministria e Financave propozon ngritjen e këshillit fiskal, do t’i raportojë drejtpërdrejt kuvendit

18/06/2026 16:51

Një institucion i ri i pavarur do të monitorojë politikat fiskale dhe buxhetore të vendit dhe do t’i raportojë drejtpërdrejt Kuvendit.

Ministria e Financave në projektligjin e nxjerrë për konsultim publik parashikon ngritjen e Këshillit Fiskal, një institucion i pavarur që do të menaxhoj borxhin publik si dhe do të mbikëqyrë respektimin e rregullave buxhetore dhe rreziqeve të mundshme nga devijimet.

“Këshilli Fiskal monitoron zbatimin e parimeve, rregullave dhe kufizimeve fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, vlerëson zhvillimet në politikën fiskale dhe jep opinione të pavarura mbi qëndrueshmërinë e financave publike si dhe rreziqet ndaj saj”, thotë ministria e Financave.

Sipas relacionit shpjegues, nisma synon të adresojë mungesën e një institucioni të dedikuar për vlerësimin e pavarur të zhvillimeve fiskale dhe makroekonomike. Ministria e Financave argumenton se aktualisht kufizohet ndarja funksionale ndërmjet rolit të hartimit dhe atij të vlerësimit të politikave, duke ndikuar në perceptimin mbi transparencën dhe besueshmërinë e tyre.

“Ndër detyrat kryesore të institucionit do të jetë vlerësimi i Kuadrit Makroekonomik dhe Fiskal, projektbuxhetit vjetor, raportit të zbatimit të buxhetit, si dhe monitorimi i respektimit të rregullave fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit”, thotë ministria.

Por në rastet kur Ministria e Financave nuk do të marrë parasysh vërejtjet e institucionit, ajo do të duhet të hartojë një relacion shpjegues ku të argumentojë arsyet e mospranimit të rekomandimeve. Dokumenti do t’i paraqitet Kuvendit dhe do të bëhet publik.

Projektligji parashikon që Këshilli Fiskal të përbëhet nga tre anëtarë me mandat gjashtëvjeçar dhe me kohë të plotë. Kryetari do të përfitojë pagë të barasvlershme me atë të një ministri, ndërsa dy anëtarët e tjerë do të paguhen në masën 85% të pagës së kryetarit. Ngritja e Këshillit ka kosto shtesë rreth 39 milionë lekë të cilat do të financohen nga buxheti I shtetit.

 

 

Top Channel