Konfederatat, Itali “e bronxtë” ndaj Uruguajit

30/06/2013 20:55

Italia ka mposhtur 5-4 Uruguajin, pas goditjeve të 11-metërshave, duke përfunduar në vendin e tretë në Kupën e Konfederatave. 90-minutëshi i rregullt dhe kohët shtesë përfunduan në barazim 2-2.

“Axurrët” kalojnë dy herë në avantazh me Astorin dhe Diamantin, të dy festuan golin e parë me kombëtaren italiane, por ishte Cavani, ai që diti të kundërpërgjigjej dy herë radhazi.

Italia, që kishte përfunduar me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq ndaj Montolivos, i rezistoi të nxehtit dhe kohëve shtesë, për herë të dytë në këtë turne, pas atyre në ndeshjen me Spanjën, por këtë herë arrin të dalë e fituar nga 11-metërshat.

Buffon, i cili kundër “La Roja”-s pësoi gol cdo gjuajtje të spanjollëve, arrin të presë 3 gjuajtje, ato të Forlan, Caceres dhe Gargano, teksa këta dy të fundit aktivizohen në kampionatin italian.

Italia mbyll kështu aventurën e saj në Brazil, “antipastë” e Botërorit 2014, me 3 fitore (ndaj Meksikës, Japonisë dhe Uruguajit) dhe 2 humbje (me Brazilin dhe Spanjën).

Top Channel