Donald Trump rikthehet në botën e golfit, Presidenti amerikan pranon rolin e kryetarit të nderit në turneun që zhvillohet në Çikago

29/08/2026 22:00

Donald Trump do të jetë kryetar nderi i Presidents Cup 2026, pasi ka pranuar ftesën e PGA TOUR, organizatës kryesore të golfit profesionist në SHBA. Turneu prestigjioz i golfit do të zhvillohet në Medinah Country Club, në Çikago, nga 22 deri më 27 shtator 2026.

Ky do të jetë rikthimi i Trump në këtë rol, pasi ai ishte kryetar nderi edhe në edicionin e vitit 2017, të zhvilluar në New Jersey.

PGA TOUR deklaroi se prania e Trump vijon traditën e Presidents Cup për të përfshirë liderë të njohur botërorë në këtë event ndërkombëtar të golfit.

Presidents Cup zhvillohet çdo dy vjet dhe përball skuadrën e Shteteve të Bashkuara me një ekip ndërkombëtar, ku nuk përfshihen lojtarët europianë. SHBA ka fituar 13 nga 15 edicionet e zhvilluara deri më tani.

Top Channel