“Iso mbi kalldrëm” në Gjirokastër, qindra qytetarë vendës dhe të huaj ndoqën koncertin e parë të këtij eventi

02/08/2026 13:18

Kalldrëmet e Gjirokastrës u mbushën me tingujt e muzikës tradicionale në mbrëmjen që shënoi nisjen e aktivitetit kulturor “Iso mbi Kalldrëm”.

Qindra qytetarë dhe turistë u bënë pjesë e atmosferës festive, duke ndjekur nga afër koncertin e parë të këtij eventi që do të zgjasë gjatë gjithë muajit gusht.

Grupi “Nektar” hapi siparin e mbrëmjeve artistike me interpretimin e këngëve të traditës, duke sjellë emocione dhe duke promovuar vlerat e trashëgimisë shpirtërore shqiptare në zemër të qytetit muze.

Është e mrekullueshme. Muzika, atmosfera dhe njerëzit janë fantastikë. Më pëlqen shumë energjia që përcjell ky festival. Do të dëgjojmë edhe këngë polifonike dhe muzikë tradicionale, të cilat janë shumë të bukura dhe plot jetë”, shprehet një turiste

Gjirokastra është një qytet shumë i bukur dhe me histori të pasur. Njerëzit këtu janë shumë mikpritës dhe kjo më kujton traditat e vendit tim, Kurdistanit. Edhe ne kemi muzikë dhe këngë tradicionale që ngjajnë me ato shqiptare. Atmosfera është e mrekullueshme. I ftoj të gjithë të vizitojnë Shqipërinë, sepse njerëzit janë shumë të dashur.”, thotë një turist.

Përgjatë gjithë muajit, “Iso mbi Kalldrëm” do të sjellë në Pazarin Karakteristik grupe polifonike dhe artistë nga treva të ndryshme, duke e kthyer Gjirokastrën në një skenë të hapur ku muzika, historia dhe turizmi ndërthuren në një festë të përbashkët.

Top Channel