“Përvëlohet” nga temperaturat e larta Italia, alarm i kuq në pjesën më të madhe të qyteteve kryesore
Emri i investitorit amerikan Joshua Kushner është në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas raportimeve se ai dhe fondi i tij i investimeve mund të jenë pjesë e një marrëveshjeje shumë miliardë dollarëshe për blerjen e një pjese të të drejtave komerciale të FIFA-s, kryesisht Botërorin.
Sipas këtyre raportimeve, fondi Thrive Eternal, i themeluar nga Kushner, është investitori kryesor në një projekt të propozuar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, për krijimin e një entiteti të ri komercial që do të menaxhonte të drejtat më fitimprurëse të organizatës.
Megjithëse marrëveshja ka shkaktuar debat të gjerë në botën e futbollit dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht në të gjitha detajet e raportuara, interesi është përqendruar te Joshua Kushner, një prej emrave më të njohur të kapitalit sipërmarrës në Shtetet e Bashkuara.
Joshua Kushner, 41 vjeç, është themeluesi i kompanisë së investimeve Thrive Capital, të cilën e krijoi në vitin 2009, kur ishte vetëm 25 vjeç. Ai është gjithashtu vëllai i Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump.
Brenda pak më shumë se një dekade, Joshua Kushner, e ka shndërruar kompaninë në një nga fondet më të rëndësishme të investimeve në teknologji, duke menaxhuar asete me vlerë mbi 60 miliardë dollarë.

Karriera e tij është ndërtuar kryesisht mbi investimet në kompani teknologjike me potencial të lartë rritjeje. Thrive Capital ishte ndër investitorët e hershëm në Instagram, pak para se platforma të blihej nga Facebook në vitin 2012.
Më vonë, kompania investoi në gjigantë të teknologjisë si OpenAI, Stripe dhe Spotify, ndërsa Joshua Kushner ishte gjithashtu bashkëthemelues i kompanisë së sigurimeve shëndetësore Oscar Health.
Në portofolin e investimeve të tij bën pjesë edhe Skims, marka e veshjeve e themeluar nga Kim Kardashian, e cila është shndërruar në një prej kompanive më të vlefshme në industrinë e modës.
Për të zgjeruar aktivitetin përtej sektorit të teknologjisë, Kushner krijoi edhe Thrive Eternal, një fond investimesh afatgjata që synon të blejë pjesëmarrje në kompani dhe organizata të mëdha sportive, mediatike dhe të argëtimit. Pikërisht ky fond është përmendur në raportimet që lidhen me projektin e propozuar të FIFA-s.
Joshua Kushner është vëllai më i vogël i Jared Kushner, ish-këshilltar i lartë në administratën e parë të Donald Trump dhe bashkëshort i Ivanka Trump. Megjithatë, ndryshe nga vëllai i tij, Joshua ka mbajtur një profil të ndryshëm politik dhe publik.
Ai është regjistruar si votues demokrat dhe ndër vite ka mbështetur financiarisht iniciativa dhe kandidatë të Partisë Demokratike, si dhe kauza të ndryshme progresive në Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, përfaqësuesit e Thrive Capital kanë hedhur poshtë spekulimet se përfshirja e tij në projektin e raportuar të FIFA-s ka lidhje me administratën Trump apo me ndikime politike.
Në jetën private, Joshua Kushner është i martuar me supermodelen dhe sipërmarrësen Karlie Kloss. Çifti ka dy fëmijë dhe prej vitesh konsiderohet ndër çiftet më të njohura në qarqet e biznesit dhe industrisë së modës në SHBA.

Emri i Kushner është bërë pjesë e debatit ndërkombëtar pasi raportimet pretendojnë se fondi i tij do të udhëhiqte investimin në një strukturë të re të quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE). Sipas këtyre raportimeve, entiteti do të menaxhonte të drejtat televizive, sponsorizimet, licencimin, shitjen e biletave dhe aktivitetet e tjera komerciale të Kupës së Botës, ndërsa FIFA do të ruante shumicën e aksioneve.
Propozimi ka hasur në kundërshtime të forta nga drejtues të futbollit evropian, të cilët kanë shprehur shqetësimin se përfshirja e investitorëve privatë në menaxhimin e të drejtave komerciale mund të ndryshojë mënyrën e funksionimit të futbollit ndërkombëtar dhe të krijojë presion për rritjen e fitimeve në dëm të interesit sportiv.
Ndërsa debati vazhdon, Joshua Kushner mbetet një nga figurat më të rëndësishme të kapitalit sipërmarrës amerikan, me ndikim të madh në industrinë e teknologjisë dhe investimeve. Përfshirja e tij e mundshme në një projekt të lidhur me FIFA-n ka sjellë edhe një herë në qendër të vëmendjes karrierën, investimet dhe profilin e tij publik.
Top Channel