“Djemtë e Delvinës” në kolonën zanore të “The Odyssey”, zbulojnë si bashkëpunuan me kompozitorin fitues të Oscar-it

29/07/2026 15:25

Grupi polifonik “Djemtë e Delvinës” është bërë pjesë e kolonës zanore të filmit “The Odyssey”, përmes një regjistrimi të realizuar një vit më parë me kompozitorin fitues të çmimit Oscar, Ludwig Göransson.

Për Top Channel, anëtarët e grupit tregojnë se regjistrimi u zhvillua në Teqenë e Kuzum Babasë në Vlorë, ku morën pjesë disa grupe polifonike nga Shqipëria. Sipas tyre, në atë kohë nuk e dinin se interpretimi i tyre do të përdorej në një prej filmave më të shumëpritur.

“Kompozitori mori disa grupe në Vlorë dhe na ftuan edhe ne për regjistrime. Çdo grup kishte një ditë në dispozicion. Kënduam pjesën që ai kërkoi. Ishte shumë inteligjent dhe e njihte mirë këngën labe dhe katër elementët e saj”, tregon Zarik Bajo.

Anëtarët e grupit kujtojnë se bashkëpunimi me Göransson ishte i ngrohtë dhe profesional, pavarësisht emocioneve që kishin gjatë regjistrimit.

“Komunikimi ka qenë shumë i mirë dhe i hapur, sikur flisnim me shqiptarë. Kishte edhe një përkthyes, por ai na e bëri gjithçka shumë të lehtë”, shton Bajo.

Sipas tyre, zgjedhja e polifonisë shqiptare dhe e tingujve tradicionalë për kolonën zanore të filmit lidhet me lashtësinë e kësaj trashëgimie muzikore.

“Dhe në ato kohëra këndohej kënga labe”, thotë Roland Çiçi, ndërsa Zarik Bajo shton se përzgjedhja lidhet me faktin se “Iliria është ndër qytetërimet më të vjetra në Ballkan dhe muzika duhej të pasqyronte këtë lashtësi”.

Grupi interpretoi këngën “Rusani i Perëndive”, një krijim kushtuar xhamisë së Gjin Aleksit në Delvinë, objekt që konsiderohet simbol i identitetit dhe harmonisë kulturore e fetare të qytetit.

Kënga labe, e shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 2005, vijon të vlerësohet si një nga kryeveprat e folklorit muzikor shqiptar dhe një pasuri me rëndësi ndërkombëtare.

Top Channel