Punimet në rrugën Elbasan-Qafë Thanë, Rama ndan pamjet: Një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, po ecet me ritme të larta Me bekimin e Papa Leonit XIV, Kardinali Ernest Simoni kremtoi Meshën e Shenjtë në ish-burgun e Spaçit, në vendin simbol të vuajtjes, martizimit dhe qëndresës ndaj diktaturës komuniste.
Shenjtëria e Tij u kthye në vendin aty ku vuajti 18 vite heqje lirie, pasi në 1963 u arrestua gjatë meshës që drejtoi për vdekjen e Presidentit amerikan John Kenedy. Kardinali u lut për të dënuarit që kanë humbur jetën në këta kamp burg. Në mesazhin e tij, përcolli mesazhe për falje, paqe dhe shpresë, duke theksuar se urrejtja nuk duhet të zërë vend në zemrat e njerëzve.
“Në 1963, u vra Presidenti John Kenedy. Papa dha urdhër të mbahej meshë në të gjithë botën sepse ishte i pari president katolik romak. Me fjalë të pakta, në natën e Krishtlindjeve, pasi bëra meshën ku ishte gjithë populli, katër njerëz më vunë hekurat dhe më dënuar me varje në litar. Arsyeja? Sepse kisha thënë jemi të gjithë bijtë e Zotit, Krishti është babai i njerëzimit. Jemi bijtë e të madhit, të duam njëri-tjetrin, të duam atdheun dhe të mbrojmë të vërtetën“, u shpreh Kardinal Ernest Simoni, Princ botëror i Krishtërimit.
Ceremonisë iu bashkua përmes një letre Papa Leoni XIV, që i dha pjesëmarrësve Bekimin Apostolik dhe u lut pë ata që vuajtën në Spaç.
“Spaçi ka qenë një vend ku shumë veta kanë mbajtur kryqin e rëndë të padrejtësisë; gjaku i atyre që kanë vuajtur dhe kanë vdekur mes atyre maleve e ka ujitur atë tokë. Sa fytyra të shënjuara nga mundimi dhe privimi i kanë besuar Zotit shpresën e fundit! Bashkohem në lutje për ata që kanë vuajtur dhe kanë vdekur në Spaç, që kujtesa e tyre të mbetet e gjallë dhe të jetë për brezat e rinj një thirrje e vazhdueshme për dinjitetin e pacenueshëm të personit njerëzor, për vlerën e lirisë dhe për angazhimin për paqen“, shkruhej në letrën e Shenjtërisë së Tij.
Ceremonia që i dha një atmosferë krejt tjetër ajrit mbytës të këtyre godinave të ngujara mes maleve, iu bashkua Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, politikanit Tom Doshi, zyrtarë, besimtarë dhe qytetarë të shumtë.
Disa ish të dënuar rrëfyen si Kardinali ka shpëtuar dhjetëra të rinj nga vetëvrasja në këto godina, ndërsa Shenjtëria e Tij u vlerësua nderi dhe krenaria e të përndjekurve politikë për qëndresën e tij të jashtëzakonshme.
Top Channel