Drama e eksodit kthehet në skenë/ “Hartë memece për të mbyturit”, kujtesa e një Shqipërie që iku me gomone

01/08/2026 19:55

Thirrja për ndihmë drejtpërdrejt në Top Channel nga një gomone në det më 9 janar të vitit 2004, kthen në kujtesë një prej dramave më të mëdha të Shqipërisë së pas viteve ’90. 

Në 35-vjetorin e eksodit shqiptar, historia u kthye buzë detit, te “Rrënjët” në Durrës, ku vepra “Hartë memece për të mbyturit” e autorit Arian Leka u shndërrua në një shfaqje artistike dokumentare, nën regjinë e Driada Dervishit.

Një thirrje për të mos harruar jetët e humbura, fatet që mbetën pa përgjigje dhe plagën e mijëra shqiptarëve që u nisën natën me gomone drejt Italisë, në kërkim të një jete më të mirë.

Përmes poezisë, rrëfimit, raportimit dhe interpretimit skenik, vepra ngre pyetje që mbeten ende pa përgjigje: “Pse ikëm atëherë dhe pse vazhdojmë të ikim?”

Për herë të parë, kjo dramë detare shqiptare bëri bashkë aktorë profesionistë, anëtarë të Klubit të Librit, gazetarë dhe grupmosha të ndryshme.

E përkthyer në 12 gjuhë dhe e vënë në skenë në disa qytete europiane, “Hartë memece për të mbyturit” vjen si një protestë kundër harresës. Ndërsa sot Mesdheu vazhdon të jetë skenë e dramave të reja të emigracionit, kujtesa e eksodit shqiptar është një thirrje për të mos harruar se pas çdo gomoneje ka shumë histori njerëzore, shpresë po dhe tragjedi.

Top Channel