Thesari i ëmbël i Përmetit, Slow Food vlerëson artizanët e glikos, projekti promovon biodiversitetin lokal

29/07/2026 13:35

Punishtet tradicionale të glikos në Përmet po marrin vëmendjen e specialistëve ndërkombëtarë, të cilët i konsiderojnë ato një pasuri të veçantë të trashëgimisë ushqimore shqiptare.

Përfaqësues të organizatës ndërkombëtare Slow Food vizituan qytetin për t’u njohur nga afër me procesin tradicional të përgatitjes së glikos, në kuadër të një projekti që prej dy dekadash mbështet ruajtjen e produkteve autentike në vende të ndryshme të botës.

“Jam Francesco Sottile Profesor i asociuar, profesor agronom dhe vij nga Sicilia, Itali. Jam anëtar i Bordit të Slow Food International. Jam këtu për të vizituar disa punishte në kuadër të një projekti që zhvillohet në shumë shtete, me synimin për të shpërndarë njohuritë e prodhuesve të vegjël dhe artizanëve, si edhe për të shkëmbyer përvoja mbi biodiversitetin lokal. Qëllimi është të ndërtojmë një rrjet bashkëpunimi, të forcojmë jetën në komunitet dhe të promovojmë mënyrën e të jetuarit përmes produkteve vendase.

Ne jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu, të jetojmë dhe të ndajmë këtë eksperiencë me ju. Ky projekt synon të ruajë traditat që rrezikojnë të humbasin dhe të promovojë biodiversitetin lokal. Këta janë faktorë shumë të rëndësishëm për ruajtjen e kulturës vendase shqiptare. Kemi pasur fatin të provojmë këto produkte të mrekullueshme dhe të takojmë njerëz po aq të mrekullueshëm. Këtë projekt e zhvillojmë prej 20 vitesh”, tha Francesco Sottile-profesor i asociuar.

Projekti synon të mbështesë komunitetet që ruajnë traditat e prodhimit artizanal, duke i kthyer ato në një burim zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe turistik. Vizita e ekspertëve ndërkombëtarë është një tjetër dëshmi se glikoja e Përmetit dhe mjeshtëria e prodhuesve vendas po vlerësohen përtej kufijve të Shqipërisë.

Sipas specialistëve, këto tradita kontribuojnë në ruajtjen e biodiversitetit, trashëgimisë kulturore dhe identitetit lokal, duke e shndërruar Përmetin në një shembull të suksesit të produkteve autentike shqiptare.

Top Channel