Familja britanike evakuohet nga zjarret në Francë: Menduam se ishte një perëndim i bukur, por qiellin rozë e kishin bërë flakët

25/07/2026 18:00

Një familje britanike me tre fëmijë u detyrua të largohej me urgjencë nga një kamping në jugperëndim të Francës, pasi zjarret e mëdha pyjore që kanë përfshirë rajonin iu afruan zonës ku po kalonin pushimet.

Venetia dhe Tom Bentley, të cilët po pushonin me fëmijët e tyre 18, 16 dhe 13 vjeç në kampingun Sandaya në Sanguinet, pranë Biscarrosse, u evakuuan rreth orës 21:30 të së premtes, pas aktivizimit të alarmit të emergjencës.

Sipas Venetia Bentley, familja sapo ishte kthyer nga ajo që mendonin se ishte një shëtitje e bukur në perëndim të diellit, por më vonë kuptuan se ngjyra rozë dhe pamja e mjegullt e qiellit shkaktoheshin nga flakët dhe tymi i zjarrit.

“Menduam se ishte një perëndim i bukur, por qiellin rozë e kishin bërë zjarret. Alarmi u ndez, morëm gjithçka në makinë dhe u nisëm menjëherë”, tha ajo, duke shtuar se përpiqeshin t’i mbanin fëmijët të qetë gjatë evakuimit.

Për të shmangur panikun, prindërit e kthyen udhëtimin në një bisedë të zakonshme, duke diskutuar se cilat këngë do të dëgjonin në makinë, ndërsa prisnin në kolonat e gjata të automjeteve që po largoheshin nga zona e rrezikut.

Familja udhëtoi drejt Bordeaux, ku arriti të gjente një vendqëndrim rreth 50 kilometra më tej përgjatë bregdetit. Të nesërmen u zhvendos në një kamping tjetër, ku, sipas tyre, ajri është i pastër dhe situata është më e sigurt.

Evakuimi i familjes Bentley është një nga shumë rastet e raportuara gjatë zjarreve të mëdha që kanë përfshirë jugperëndimin e Francës, duke detyruar mijëra banorë dhe turistë të braktisin zonat e prekura nga flakët.

Top Channel