Dita e 48-të e tubimit në Tiranë/ Një protestues tenton t’i afrohet makinës së Ramës, shoqërohet nga policia. Paralajmërohet protestë para Kuvendit

17/07/2026 20:50

Protesta e 48 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nisi me një incident.

Një protestues u shoqërua nga policia, pasi tentoi të afrohej pranë makinës së kryeministrit Edi Rama.

Qytetari protestoi te makina e Ramës që ndodhej para godinës qeveritare, para se kryeministri të dilte nga zyra, duke bërë që të ndërhynte policia. Ai u ndalua menjëherë nga forcat e policisë që ndodheshin pranë dhe u shoqërua në komisariatin 1.

Seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar, e parashikuar më 23 korrik, për protestuesit e bulevardit do të jetë e fundit për të gjithë deputetët. Paralajmërimi u dha nga sheshi, ku u njoftua protestë para Kuvendit.

Ndërkohë, organizatorët e protestës njoftuan se të shtunën do të zhvillojnë mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar Qytetarë. Ata ftojnë qytetarët të plotësojnë formularin për aplikimin për pjesëmarrje në këtë Kuvend dhe të bëhen pjesë e mbledhjes.

Me këtë thirrje në kor, protestuesit zhvilluan marshimin e 48 në rrugët e kryeqytetit.

Top Channel