Rifillimi i vështirë pas burgut/ 60 të liruar në Drenovë, sfidat, pasiguritë dhe nevoja për riintegrim pas fitimit të lirisë

15/07/2026 12:06

Përfitimi nga amnistia penale ka kthyer lirinë për 60 të burgosur në IEVP Drenovë, por ajo që ata lënë pas dhe rruga që i pret përpara është tërësisht e ndryshme për secilin.

Jashtë kangjellave ndjenjat e pasigurisë për shëndetin dhe etjes për drejtësi gërshetohen në historitë e atyre që sapo lanë qelinë. Pas vuajtjes së dënimit, Igli Çangëtari nga Devolli tregon se mungesa e lirisë dhe koha e kaluar prapa hekurave shërbyen si një mësim i vlefshëm për të ardhmen e tij.

Por, jo për të gjithë liria vjen e plotë. Pasojat psikologjike të izolimit shpesh mbartin një peshë të rëndë. Nëna e Igli Çangëtarit, pak para se i biri të kalonte pragun e burgut, kërkoi ndihmë për trajtimin e tij mendor.

Në anën tjetër të këtij kontrasti qëndrojnë ata që lirinë nuk e shohin thjesht si një fillim të ri, por si një mundësi për të pastruar emrin e tyre. I tillë është rasti i Besmir Gjezarit. Për të, mbyllja e llogarive me burgun nuk do të thotë pranim i fajit. Ai është i vendosur ta shfrytëzojë këtë liri për të vërtetuar pafajësinë e tij.

Amnistia u jep lirinë por nuk i zgjidh automatikisht problemet që të dënuarit marrin me vete në shoqëri. Mes nevojës për riintegrim, problemeve psikologjike dhe betejave të hapura me drejtësinë, jeta pas Drenovës sapo ka filluar për ta.

Top Channel