“Lashë vetëm një porosi”/ Zgjedhjet në Këshillin Kombëtar dhe përplasja me anëtaren demokrate, Berisha: Është e lirë të flasë, nuk i mohoj asnjë të drejtë

15/07/2026 21:27

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë një prononcim për mediat pak para nisjes së numërimit të votave në PD.

Berisha u shpreh se ekipi me kandidatë i propozuar për poste të ndryshme në PD është një ekip me shumë personalitete dhe ka një përfaqësim të madh nga rinia.

“Në kompetencë dhe eksperiencë, në formim është ekipi më i epërm i kësaj partie në të gjitha kohërat dhe këtë ju mund ta mblidhni dhe shqyrtoni me radhë. Në këtë ekip që keni sot para jush ka personalitete, të cilat kanë publikime në nivelet më të larta botërore. Ka prej tyre personalitete me eksperiencë të madhe në fushën e tyre, në politikë. Unë them se asnjëherë në histori një ekip si ky nuk ka pasur. Ka një përfaqësim më të madh se asnjëherë të të rinjve dhe kjo është direktiva e kuvendit, ka një përfaqësim të zonjave. Ka një proporcion të shkëlqyer të të gjitha potencialeve të kësaj partie.

Këto zëra janë normalë, çdo njeri ka të drejtë të shprehë mendimin, ne votojmë me dy kandidatura, fshehtas dhe e them që kandidaturat e paraqitura para këshillit janë kandidaturat më të pakrahasueshme në cilësitë e tyre me të zgjedhurit e mëparshëm”, u shpreh Berisha.

I pyetur për ndryshimet në drejtuesit e qarqeve Berisha u përgjigj: Ky është një proces i vazhdueshëm, por gjithçka do të jetë dorë pas dore. Gjithçka do të bëhet, ndryshimet që do dalin, pas rezultateve të votimit.

Po ashtu kreu i PD-së u pyet për debatin gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ku ai u përplas me anëtaren Ilirjana Kuçana.

“Unë nuk di të jenë habitur. Ka një moment. Dua ta them hapur. Për zvogëlimin në maksimumin e mundshëm të lobimit, që nuk e përjashton dot kurrë, mbahet një rezervë, se për mua unë mund t’ua kisha dhënë që në mëngjes. Problemi i lobimit nuk është se nuk është një problem shqetësues. Jam kundër, por nuk e ndalon dot me asgjë. Nëse ka mbetur ndonjë që e ka marrë vesh në sallë, kjo është habi. Ka pasur një porosi të prerë nga unë, që ta marrin vesh paraprakisht. Mund të ketë ndonjë tek-tuk.

Atë e lashë të flasë, nuk i mohohet askujt. Ajo është e lirë. Ka një moment. Unë ia thashë dhe asaj, në përputhje me statutin do të gëzojë çdo të drejtë dhe po deshi të paraqesë rezolutë. Në rastin konkret, unë i kam kthyer një përgjigje sot paradite Ilirjanës për kërkesën e saj. Nëse bëjmë gjëra jashtë statutit, nuk është kompetencë e imja. Unë kam detyrë të mos u mohoj asnjë të drejtë. Kjo është, nuk ka asgjë tjetër. Ju do ta gdhini sot këtu të prisni rezultatin? Rezultatin kjo parti e nxjerr para kamerave. Se kë votova është sekret. Referendumi i kryetarit i intereson gjithë Shqipërisë. Ai tjetri që nga 2009 e deri më sot ka ekzekutuar votën”, tha Berisha.

Top Channel