“SPAK po na ngul thikën pas shpine”/ Mbyllet tubimi i 46-të në kryeqytet, protestuesi thirrje shqiptarëve: Të marrim armët, Rama do të na shuajë

15/07/2026 22:30

Në ditën e 46 të protestës në bulevard, për herë të parë organizatorët shpalosën edhe kërkesa të reja, përtej atyre për dorëheqje të politikës, qeveri tranzitore dhe ndryshime kushtetuese.

Pas 46 ditësh në bulevard, protestuesit kërkuan krijimin e një partie të re politike.

Nga sheshi, protestuesit iu drejtuan me një kërkesë kryeministrit Edi Rama, që të shpallë “non grata” ministren serbe, pas deklaratës së spastrim etnik të Kosovës.

Njëri prej protestuesve që mori fjalën gjatë tubimit para Kryeministrisë tha se SHBA dhe BE po mbajnë Ramën në pushtet dhe se SPAK po i ngul thikën pas shpine shqiptarëve.

“Edvin Ramën në pushtet e vuri Amerika me Europën. Unë u them atyre a jeni me popullin shqiptar, apo kundër. Ramën në pushtet nuk e mbajmë ne, por Amerika dhe Europa. Janë këto 2 fuqi madhore sot në botë, që ndërtuan edhe SPAK, i cili po na i ngul thikën pas shpine. Ne si shqiptarë kemi ardhur në limitet e durimit tonë. Amerika o të na thotë që na ka miq, o të na thotë që na ka armiq. Ne nuk e lëshojmë atdheun, se ka qejf Amerika apo Europa”, deklaroi protestuesi.

Madje sipas tij shqiptarët duhet të marrin armët në dorë për të mbrojtur atdheun.

“Unë kam mendimin që të krijoni edhe një parti politike, edhe të merrni në dorë fatet e kombit. T’i kërkojmë njëzëri Amerikës, boll është boll. Boll na e keni futur thikën në shpinë. Nga sot e pas, ne o do ju shohim si armiq, ose si miq. Jam artist, nuk mund të rri dot pasiv. Rama është armë e përdorur nga SHBA dhe BE për të na shuar ne. Ose të luftojmë me armë në dorë për ta mbrojtur këtë atdhe, ose si të duan këto”, tha një protestues.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit zhvilluan marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit nën brohoritmat “ju erdhi fundi”. Mes simboleve kombëtare dhe thirrjeve kundër politikës, ata njoftuan vijimin e protestës.

Top Channel