Norvegjia, babai i Halland nuk e kapërdin eliminimin: Anglia u shpëtua nga arbitri Turpin, ndihem i grabitur

12/07/2026 11:40

Eliminimi i Norvegjisë në çerekfinale të Botërorit po mbart me vete shumë polemika. Tifozët e skuadrës së drejtuar nga Solbakken vunë në shënjestrën arbitrin Turpin, i cili sipas tyre është fajtor që nuk anuloi golin e parë të Bellingham dhe se anuloi atë të Haaland.

Episodi që po diskutohet më shumë është goli i barazimit i shënuar nga Bellingham. Në momentin kur portieri Nyland rivuri topin në lojë, topi u duk se goditi kamerën përpara se të zbriste në tokë, një devijim ky thuajse i paperceptueshëm, por që ndryshoi drejtimin e topit. Anglezët e rikuperuan atë dhe nisën një aksion që solli golin e Bellingham me këtë të fundit që në kohën shtesë shënoi edhe golin e dytë që i dha kualifikimin në gjysmëfinale skuadrës angleze.

Ai që shfaqi zemërim për atë çfarë ndodhi ishte edhe Alfie Haaland. Në rrjetin social X, babai i sulmuesit të Manchester City, Erling iu përgjigj një gazetari anglez që lavdëronte golin e parë të Bellingham. ‘Me të vërtetë? U shpëtuat nga arbitri. Shpresoj që tani të fitoni botërorin, por sot ndihem i grabitur-shkruante Alfie Haaland në përgjigjen e tij. Por më pas në një intervistë në televizion, Alfie Haaland e shtoi dozën e akuzave ndaj Turpin.

‘Jam shumë i zhgënjyer sepse besoj se Norvegjia u penalizua nga dy vendime të bujshme. Kur humbet një çerekfinale në atë mënyrë, është e pamundur të mos ndihesh i frustruar-tha babai i yllit të kombëtares norvegjeze-në radhë të parë goli i parë i Anglisë nuk duhej të quhej i rregullt. Nga vendi ku isha unë, kishte një faull në ndërtimin e aksionit që arbitrat e injoruan. Nëse VAR shërben për të korrigjuar gabimet e dukshme atëherë përse nuk u pa ashtu siç duhej?’.

Përsa i përket golit që iu anulua të birit, Alfie Haaland dha shpjegimin e tij

‘Njerëzit vazhdojnë të thonë që e shtyu Anderson, por shikojeni me kujdes. Të dy po luftojnë për pozicionin dhe të dy po përdorin krahët. Është futboll. Nëse kjo mjafton për të anuluar një gol në Botëror atëherë do të anulojmë gol çdo fundjave. Më vjen keq për lojtarët sepse dhanë gjithçka dhe të them të drejtën meritonin më shumë në këtë ndeshje-tha Alfie Haaland  që në fund nuk i kurseu një kritikë edhe Sorloth se tentoi gjuajtjen personale në një kundërsulm që mund të çonte rezultatin në 2-0 për Norvegjinë

‘Kishte opsione. Kishte shokë skuadre që kërkonin pasimin. Në fakt ai zgjodhi të ikë i vetëm. Në këto nivele, ndaj një skuadre si Anglia nuk ke shumë mundësi të mbyllësh ndeshjen-tha Alfie Haaland.

Top Channel