Video/ Bellingham hero i Anglisë, “Tre Luanët” përmbysin Norvegjinë në shtesë dhe shkojnë në gjysmëfinale

12/07/2026 01:47

Anglia është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, pasi përmbysi Norvegjinë me rezultatin 2-1 pas kohës shtesë, duke siguruar për herë të parë një vend mes katër skuadrave më të mira të turneut në një Botëror të zhvilluar jashtë Evropës.

Ndeshja nisi me ritëm të ulët për shkak të temperaturave të larta në Miami. Anglia dominoi posedimin, por rasti i parë serioz erdhi vetëm në minutën e 19-të, kur Jude Bellingham devijoi me kokë një krosim të Elliot Anderson, por topi përfundoi jashtë.

Norvegjia goditi në minutën e 36-të. Pas një aksioni të bukur, Andreas Schjelderup përfitoi nga një top në zonë dhe kaloi skuadrën e tij në avantazh, duke shtangur anglezët.

Skuadra e Ståle Solbakken pati edhe raste të tjera me Alexander Sørloth dhe Martin Ødegaard, por nuk arriti të dyfishonte epërsinë. Anglia e shfrytëzoi këtë dhe në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë Anthony Gordon asistoi për Jude Bellingham, i cili barazoi shifrat në 1-1.

Në pjesën e dytë Norvegjia ishte shumë pranë golit të dytë, por Jordan Pickford bëri disa pritje vendimtare. Madje, një gol i Torbjørn Heggem u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për një faull të Erling Haaland në ndërtimin e aksionit.

Pasi koha e rregullt u mbyll në barazim, sfida shkoi në shtesë. Aty Anglia tregoi më shumë freski fizike dhe gjeti golin e fitores në minutën e 93-të. Morgan Rogers provoi nga distanca, portieri Ørjan Nyland nuk e kontrolloi dot topin dhe Jude Bellingham ishte i gatshëm për ta dërguar në rrjetë, duke realizuar golin e dytë personal.

VAR-i anuloi më pas një penallti të akorduar fillimisht për Anglinë, ndërsa Norvegjia mori një tjetër goditje kur Erling Haaland u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi të dyshuar.

Pavarësisht përpjekjeve të norvegjezëve në minutat e fundit, Anglia mbrojti avantazhin dhe siguroi një fitore të madhe, duke prerë biletën për në gjysmëfinale.

Në fazën tjetër, “Tre Luanët” do të përballen me fituesin e çiftit Argjentinë-Zvicër, në kërkim të një vendi në finalen e madhe të Kupës së Botës.

Rezultati:

Norvegji 1-2 Angli

Schjelderup 36′ / Bellingham 45+2′, 93′

Ngjarjet Kryesore:

120+2′ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-2 të Anglisë!

120′ Akordohen 2 minuta shtesë.

110′ Spence godet nga distanca dhe ndalet nga Nyland. Topi kthehet te Saka, i cili godet dhe ndalet sërish nga Nyland.

106′ Nis pjesa e dytë e shtesës!

105+3′ Mbyllet pjesa e parë e shtesës!

105′ Akordohen 3 minuta shtesë.

100′ Spence pengohet në zonë dhe arbitri akordon penallti, por pas rishikimit me VAR, ndryshon mendje. (Video)

93′ Goool Anglia 1-2/ Rogers lëshon një predhë nga distanca, me Nyland që nuk e ndal si duhet dhe Bellingham e shtyn topin drejt rrjetës. (Video)

91′ Nis pjesa e parë e shtesës!

90+9′ Mbyllet koha e rregullt!

90′ Akordohen 7 minuta shtesë.

85′ Nusa futet brenda në zonë dhe godet me të djathtën, por ndalet nga Pickford.

76′ Aursnes devijon një top me kokë dhe përplaset në traversë. Më pas anglezët arrijnë të largojnë rrezikun.

55′ Pas një karamboli në zonë, topi shkon te Heggem i cili e çon në rrjetë. Gjithsesi, pas ndërhyrjes së VAR, goli anulohet pas një faulli të Haaland ndaj John Stones. (Video)

53′ Haaland provon me një gjuajtje me kokë, por Pickford e devijon i pasigurt, me topin që shkon në këndore.

46′ Nis pjesa e dytë!

45+5′ Mbyllet pjesa e parë!

45+2′ Goool Anglia 1-1/ Anthony Gordon tregon vizion të shkëlqyer duke gjetur Jude Bellingham me një pasim të zgjuar brenda zonës së rreptësisë. Goditja e tij me të parën është e saktë dhe topi përfundon në cepin e poshtëm të djathtë të portës. (Video)

45′ Akordohen 4 minuta shtesë.

36’ Goool Norvegjia 1-0/ Martin Odegaard pason për Andreas Schjelderup i cili e kontrollon në mënyrë perfekte dhe lëshon një goditje fantastike nga jashtë zonës drejt cepit të sipërm të djathtë të portës. Topi përplaset në shtyllë dhe përfundon në rrjetë. (Video)

29’ Kane tenton nga goditja e dënimit, me tentativën e tij që shkon mbi kuadrat.

19’ Bellinham provon me një gjuajtje me kokë, por tentativa e tij shkon jashtë kuadratit.

1′ Nis dueli në Miami!

Formacionet Zyrtare:

Top Channel