“Mos trego mungesë respekti ndaj meje”/ Messi përplaset me arbitrin portugez, ‘shpërthen’ rrjeti

12/07/2026 13:14

Lionel Messi ishte protagonist jo vetëm me paraqitjen e tij në fushë, por edhe me një debat të tensionuar me arbitrin João Pedro Pinheiro gjatë çerekfinales së Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Zvicrës.

Incidenti ndodhi në pjesën e parë të takimit, pak çaste para ekzekutimit të një goditjeje dënimi për Zvicrën. Si kapiten i Argjentinës, Messi ishte vendosur në murin mbrojtës kur arbitri portugez i kërkoi të ruante distancën e duhur.

Megjithatë, mënyra se si gjyqtari iu drejtua nuk i pëlqeu aspak yllit argjentinas.

Sipas pamjeve që janë bërë virale në rrjetet sociale, Messi reagoi menjëherë dhe i kërkoi arbitrit të ndryshonte tonin e komunikimit.

“Më fol siç duhet. Mos trego mungesë respekti ndaj meje,” ishte reagimi i 39-vjeçarit ndaj Pinheiros.

Momenti u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u komentua gjerësisht nga tifozët, të cilët vlerësuan mënyrën se si kapiteni i Argjentinës kërkoi respekt gjatë komunikimit me arbitrin, ndërsa disa të tjerë ‘shpërthyen’ në rrjetet sociale se përse Messi nuk u ndëshkua me karton.

Në fund, Argjentina arriti të fitojë 3-1 ndaj Zvicrës pas kohës shtesë, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.

Top Channel