Spanja në çerekfinale, eliminon Portugalinë me golin e Merinos në një betejë “gladiatorësh”. Mbyllet ëndrra e Ronaldos (Video)
Skandali i krijuar pas vendimit të FIFA-s për të lejuar aktivizimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun në ndeshjen ndaj Belgjikës, pavarësisht kartonit të kuq, po kthehet në krizën më të madhe të presidencës së Gianni Infantinos.
Pas pretendimeve se vendimi erdhi pas një ndërhyrjeje politike të lidhur me një telefonatë të presidentit amerikan Donald Trump, zërat për largimin e kreut të FIFA-s janë bërë gjithnjë e më të fortë.
Edhe pse presidenti i FIFA-s nuk mund të rrëzohet përmes një vote mosbesimi, statutet e organizatës parashikojnë disa rrugë që mund të çojnë në largimin e tij nga posti.
Skenari i parë është ndërhyrja e Komitetit të Pavarur të Etikës. Nëse provohet se presidenti ka shkelur Kodin e Etikës së FIFA-s, qoftë për abuzim me detyrën, korrupsion apo shkelje të tjera të rënda, komiteti mund të nisë procedurat disiplinore. Fillimisht ai mund të pezullohet përkohësisht, ndërsa më pas të përjashtohet nga çdo funksion në futboll për disa vite ose edhe përgjithmonë. Një precedent i tillë ekziston me ish-presidentin Sepp Blatter, i cili në vitin 2015 u pezullua dhe më pas u përjashtua për disa vite.
Skenari i dytë lidhet me zgjedhjet presidenciale. Mandati i presidentit të FIFA-s zgjat katër vjet dhe rinovohet vetëm nëse merr votat e Kongresit të FIFA-s, ku marrin pjesë 211 federata kombëtare. Infantino ka konfirmuar se do të kandidojë sërish në vitin 2027, por skandali i fundit mund të ndikojë në mbështetjen që ai do të ketë deri atëherë.
Aktualisht ai gëzon mbështetjen e konfederatave të Amerikës së Jugut, Afrikës dhe Azisë, të cilat së bashku kontrollojnë 110 nga 211 votat, një shumicë që teorikisht i mjafton për t’u rizgjedhur edhe pa mbështetjen e Evropës.
Skenari i tretë është dorëheqja ose pamundësia për të ushtruar detyrën. Në një rast të tillë, kompetencat kalojnë përkohësisht te zëvendëspresidentët e FIFA-s deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Ndërkohë, presioni ndaj Infantinos vazhdon të rritet. Mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar çështjen si një nga goditjet më të rënda ndaj besueshmërisë së FIFA-s në vitet e fundit. Redaktori i sportit i BILD, Henning Feind, shkroi se “ky duhet të jetë fundi i Infantinos”, ndërsa presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf, kërkoi sqarim të menjëhershëm të çështjes, duke paralajmëruar se çdo dyshim për ndërhyrje politike rrezikon integritetin e garës dhe besueshmërinë e FIFA-s.
Nëse akuzat do të provohen apo jo, mbetet për t’u parë. Ajo që është e sigurt është se Gianni Infantino po përballet me një nga momentet më të vështira të karrierës së tij në krye të futbollit botëror.
Top Channel