Spanja në çerekfinale, eliminon Portugalinë me golin e Merinos në një betejë “gladiatorësh”. Mbyllet ëndrra e Ronaldos (Video)
Tmerr dhe racizëm pa doreza në Kupën e Botës: Senatorja paraguaiane degjeneron yllin francez Kylian Mbappé
Ndeshje e nxehtë në fushë, por një luftë e vërtetë dhe e turpshme jashtë saj. Kualifikimi i Francës në çerekfinale pas fitores 1-0 ndaj Paraguait ka kaluar tërësisht në plan të dytë. Shkak është bërë një skandal i përmasave të jashtëzakonshme, i ndezur nga senatorja paraguaiane, Celeste Amarilla de Boccia, e cila ka lëshuar një lumë sulmesh raciste dhe fyerjesh të rënda në rrjetin social X ndaj kapitenit francez, Kylian Mbappé.
Deklarata shokuese e senatores paraguaiane
Në postimet e saj që kanë ndezur rrjetin dhe kanë sjellë reagime mbarëbotërore, senatorja nuk ka kursyer asgjë, duke përdorur terma të turpshëm: “Kjo egërsirë as nuk ka mësuar të shkruajë. Në vend të qumështit të nënës, ai ka thithur arrë kokosi, dhe qeniet më të arsimuara që ka dëgjuar ndonjëherë kanë qenë shimpanzetë. Duhet t’i kishe treguar gishtin e mesit, Orlando Gill (portieri i Paraguait). Unë e bëj në Senat dhe nuk ndodh asgjë!”

Sikur të mos mjaftonte kjo, politikania paraguaiane vazhdoi me një tjetër postim akoma më të rëndë: “Një kamerunas i kolonizuar, që shtiret si francez, i mbushur me mllef, i pasuruar rishtazi, arrogant dhe i shëmtuar. Ishte nervoz dhe i tmerruar gjatë gjithë ndeshjes, si e gjithë skuadra e tij. Nuk arritën dot të shënonin asnjë gol, fituan vetëm nga fati… E vetmja gjë që shumë prej nesh i vënë në dukje ‘Albirroja-s’ (kombëtares paraguaiane) është që nuk i dhanë një shpullë të mirë në fytyrë në fund të ndeshjes. Dhe unë as nuk jam tifoze futbolli.”
Mbappé i përgjigjet flakë për flakë: “Grua e përçmuar!”
Reagimi i superyllit francez ka qenë i menjëhershëm dhe mjaft dinjitoz, duke e vendosur politikanen përpara përgjegjësisë: “Zonja Celeste Amarilla, ju jeni një grua e përçmuar, e padenjë për detyrën tuaj. Ju nuk e përfaqësoni Paraguain, këtë vend që rrezatoi pasion dhe nder gjatë gjithë turneut. Përmes pakujdesisë dhe racizmit tuaj të hapur, e gjithë bota ka harruar tashmë rrugëtimin historik dhe përpjekjet e lojtarëve tuaj, për t’i hapur rrugë një gruaje të paaftë që shfaq imazhin më të keq të vendit të saj. Nuk do t’u lejoj kurrë njerëzve si ju lirinë për të përhapur urrejtjen dhe racizmin në të gjithë botën.”

Ndërhyn Parisi Zyrtar: “E neveritshme dhe e turpshme”
Skandali ka marrë përmasa diplomatike. Ministrja e Sportit e Francës, Marina Ferrari, ka reaguar me indinjatë të thellë në rrjetet sociale, duke dënuar gjuhën e urrejtjes të përdorur nga një zyrtare shteti: “Këto komente janë të neveritshme, të turpshme dhe aq më tepër të papranueshme sepse vijnë nga një figurë politike. Duke sulmuar Kylian Mbappé, ajo po sulmon gjithçka që mishëron kapiteni ynë dhe gjithçka për të cilën përfaqëson vendi ynë: lirinë, barazinë dhe vëllazërinë.”
Kujtojmë që tensioni nisi që në fushë, ku Mbappé u godit me top në shpinë nga portieri paraguaian Orlando Gill pas vërshëllimës finale, ku ky i fundit deklaroi pas ndeshjes: “Ky është futbolli… topi mund të kalojë, por lojtari jo”. Mirëpo, ajo që dukej si një rivalitet i ashpër sportiv, tashmë ka kaluar në një skandal të rëndë ndërkombëtar racizmi.
Top Channel