Video/ Argjentina i mbijeton “makthit” të Kepit të Gjelbër, fiton mes vuajtjesh në shtesë pas një ndeshjeje të çmendur në Miami

04/07/2026 02:45

Argjentina u detyrua të djersijë deri në minutat shtesë për të siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, teksa mposhti me rezultatin 3-2 Kepin e Gjelbër në një përballje spektakolare të zhvilluar në Miami, Florida.

Kampionët e botës kaluan në avantazh në minutën e 29-të falë Lionel Messit, i cili kontrolloi në mënyrë perfekte një pasim diagonal të Lisandro Martínez dhe dërgoi topin në rrjetë. Me këtë gol, ylli argjentinas ngjitet në kuotën e shtatë realizimeve në turne, duke marrë kryesimin në garën për “Këpucën e Artë”.

Kepi i Gjelbër nuk u dorëzua dhe barazoi në minutën e 59-të me Deroy Duarte, i cili finalizoi një aksion të bukur të nisur nga Ryan Mendes.

Argjentina provoi me ngulm të rikthente epërsinë, por portieri Vozinha ishte në një mbrëmje të jashtëzakonshme, duke ndalur disa tentativa të rrezikshme të Messit dhe shokëve të tij.

Rezultati 1-1 mbeti i pandryshuar deri në fundin e kohës së rregullt, duke e çuar sfidën në shtesë.

Vetëm pak minuta pas nisjes së kohës shtesë, Lisandro Martínez riktheu në avantazh Argjentinën, duke shënuar për 2-1 pas një goditjeje nga këndi. Megjithatë, Kepi i Gjelbër befasoi sërish, pasi Sidny Lopes Cabral realizoi një gol spektakolar nga një kënd shumë i vështirë, duke barazuar shifrat në 2-2.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt penalltive, Argjentina goditi për herë të tretë. Cristian Romero shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Messi, ndërsa topi devijoi lehtë nga Diney Borges përpara se të përfundonte në rrjetë.

Në minutat e mbetura, Kepi i Gjelbër kërkoi me ngulm një tjetër mrekulli, por Emiliano Martínez ndali një goditje të rrezikshme dënimi të Lopes Cabral, duke vulosur fitoren 3-2 të Argjentinës.

Me këtë sukses, “La Selección” siguron kualifikimin në fazën e 1/8-ave, ku do të përballet me Egjiptin.

Nga ana tjetër, Kepi i Gjelbër largohet nga Botërori pas humbjes së parë në turne, por me një paraqitje historike që i ka bërë krenarë tifozët e tij.

REZULTATI:

Argjentinë 3-2 Kepi i Gjelbër

Messi 29′, Lisandro Martinez 92′, Romero 111′ / Duarte 59′, Cabral 103′

NGJARJET KRYESORE:

120+4′ Mbyllet sfida me fitoren e Argjentinës 3-2!

120′ Akordohen 3 minuta shtesë.

116′ Cabral provon me një gjuajtje surprizë nga goditja e dënimit, por kësaj radhe Martinez arrin ta ndalë.

111′ Goool Argjentina 3-2/ Messi kroson drejt zonës dhe Romero godet me kokë duke tundur rrjetën. (Video)

106′ Nis shtesa e dytë!

105+4′ Mbyllet pjesa e parë e shtesës!

105+1′ Messi provon me një gjuajtje brenda zonës, por ndalet nga Vozinha.

105′ Akordohen 3 minuta shtesë.

103′ Goool Kepi i Gjelbër 2-2/ Cabral provon me një gjuajtje surprizë nga distanca, me topin që shkon në trekëndëshin e rrjetës. (Video)

92′ Goool Argjentina 2-1/ Lisandro Martinez gjen topin në zonë dhe me të majtën gjen rrjetën. (Video)

91′ Nis pjesa e parë e kohës shtesë!

90+9′ Mbyllet koha e rregullt. Sfida shkon në shtesë!

90+5′ Messi tenton nga goditja e dënimit, por ndalet sërish nga Vozinha.

90+2′ Paredes provon me një predhë nga distanca, por topi ndalet nga Vozinha.

90′ Akordohen 8 minuta shtesë.

87′ Mac Allister provon me një gjuajtje fluturimthi, me topin që devijohet në këndore.

73′ Messi tenton të përfitojë nga një vendosje e gabuar e Vozinhas, duke tentuar nga goditja e dënimit, por portieri i Kepit të Gjelbër arrin ta ndalë.

62′ Messi futet në zonë, por tentativa e tij ndalet nga Vozinha.

59′ Goool Kepi i Gjelbër 1-1/ Duarte merr një top në zonë dhe me një goditje me të djathtën tund rrjetën. (Video)

54′ Duarte provon me një gjuajtje  nga distanca, e cila ndalet nga Martinez.

46′ Nis pjesa e dytë!

45+4′ Mbyllet pjesa e parë!

45′ Akordohen 4 minuta shtesë.

29′ Goool Argjentina 1-0/ Messi merr një top në zonë dhe me të majtën nuk gabon para Vozinhas. (Video)

18′ Messi provon me të majtën nga goditja e dënimit, por portieri Vozinha tregohet i vëmendshëm duke ndalur topin.

15′ Messi merr një top në zonë dhe godet me të majtën, por tentativa e tij shkon jashtë kuadratit.

1′ Nis sfida në Miami!

FORMACIONET ZYRTARE:

Top Channel