“Tragjedia e Torontos”/ Goli i anuluar tërbon mediat kroate, ironi me prekjen e Matanoviç: Sikur të kishe qenë qeros, ashtu nuk e prekje topin

03/07/2026 14:27

Tifozët dhe media kroate kanë reaguar me indinjatë dhe zhgënjim pas eliminimit të kombëtares së tyre nga Kupa e Botës në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, pas humbjes 2-1 ndaj Portugalisë në Toronto, në një ndeshje të shoqëruar nga polemika për anulimin e një goli në kohën shtesë.

Sipas raportimeve, Kroacia u ndal në mënyrë dramatike nga Portugalia, me golin vendimtar të Gonçalo Ramos në minutën e 94-t, ndërsa situata më e diskutuar e takimit ndodhi në minutën e 103-të, kur një gol i Josko Gvardiol u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozicion jashtë loje.

Gjyqtari norvegjez Espen Eskas fillimisht e kishte akorduar golin, por më pas vendimi u ndryshua pas rishikimit të episodit. Sipas FIFA-s, sensorët e integruar në topin zyrtar treguan se Igor Matanović kishte prekur topin në ndërtimin e aksionit, duke ndikuar në vendimin përfundimtar.

Ky episod ka shkaktuar reagime të forta në Kroaci, ku media vendase ka kritikuar ashpër gjykimin dhe mënyrën e eliminimit. Gazeta Večernji list e përshkroi performancën e arbitrit si të njëanshme, duke e titulluar reagimin e saj “Kroacia u grabit, qëllimisht”.

Ndërkohë, media sportive N1 Sportklub e cilësoi përballjen si “Tragjedia në Toronto”, duke e lidhur eliminimin me momentet vendimtare të ndeshjes dhe anulimin e golit të barazimit, të cilin e quajti “momentin kur ëndrra vdiq”.

Faqe të tjera interneti si Gol.dnevnik.hr analizuan në detaje lojën e anuluar me riprodhime me lëvizje të ngadalta dhe e shpjeguan situatën me sarkazëm.

“Sensorët treguan se sistemi regjistroi një prekje nga sulmuesi kroat, i cili ishte argumenti kryesor i VAR-it për anulimin e golit. Në ato imazhe, duket se ai e preku topin vetëm me flokët e tij. Epo, nëse Matanovic do të kishte qenë tullac, Kroacia do ta kishte barazuar rezultatin”, thekson gazeta.

Reagime të shumta kanë ardhur edhe nga tifozët në rrjet, të mbledhura nga portali Net.hr, ku shumë prej tyre e kanë cilësuar vendimin si të padrejtë dhe “grabitje”. Madje ka nga ata që i kërkojnë llogari Matanoviçit përse nuk është qethur “zero”.

Kroacia, finaliste në Kupën e Botës 2018 dhe e treta në Katar 2022, e mbyll kështu pjesëmarrjen e saj në turne pas një faze të paqëndrueshme në grupe dhe një eliminimi të mbushur me polemika.

Top Channel