Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Podujevë, ku katër persona kanë mbetur të plagosur, pasi një person filloi të qëllonte me armë zjarri në rrugë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngjarja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve, me autorin që kishte si qëllim të vriste tre persona, ndërsa i katërti ishte një kalimtar që mbeti gjithashtu i plagosur.

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Prishtinë, 02 korrik 2026- Prokuroria Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda njofton opinionin publik se sot, rreth orës 13:40, në sheshin ‘’Bulevardi i Dëshmorëve’’ në Komunën e Podujevës, ka ndodhur një përleshje e armatosur ndërmjet tre (3) personave. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, lëndime trupore kanë pësuar tre (3) persona të përfshirë në ngjarje, si dhe një kalimtar i rastit.

Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake.

Menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe në bashkëpunim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.

Me këto veprime të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Vrasja e rëndë në tentativë’’, nga neni 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Personat e lënduar me armë zjarri, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

 

Top Channel