Tërmeti shkatërrues në Venezuelë/ Debat për pallatet e shembura, çfarë janë blloqet e bardha në rrënoja
Një person ende i paidentifikuar, i cili është pagëzuar nga banorët si “Batmani i Lagos de Moreno”, po tërheq vëmendjen në Meksikë pasi dyshohet se ka ndërmarrë i vetëm luftën kundër hajdutëve të motoçikletave.
Sipas mediave lokale, gjatë dhjetë ditëve të fundit ai ka neutralizuar të paktën pesë persona të dyshuar për vjedhje motoçikletash në shtetin Jalisco, duke i lidhur me shirit ngjitës në shtylla ndriçimi dhe duke lënë pranë tyre motoçikletat e vjedhura.
Fotografitë e burrave të lidhur në vende publike kanë qarkulluar me shpejtësi në rrjetet sociale. Disa prej tyre shfaqeshin me gojën e mbyllur me shirit ngjitës, me shenja dhune në trup dhe me mesazhe paralajmëruese kundër vjedhjes së motoçikletave.
Sipas raportimeve, personi misterioz ka vendosur të veprojë pasi është zhgënjyer nga mungesa e rezultateve të autoriteteve në luftën kundër kriminalitetit. Kjo ka bërë që banorët ta krahasojnë me superheroin e famshëm “Batman”.
Prokurori i shtetit Jalisco, Salvador González de los Santos, konfirmoi se janë regjistruar raste ku të rinj janë gjetur të lidhur së bashku me pankarta që paralajmëronin se i njëjti fat do t’i priste të gjithë ata që vazhdonin të vidhnin motoçikleta.
Megjithatë, ai theksoi se pavarësisht dyshimeve ndaj tyre, në këtë fazë personat e lidhur konsiderohen viktima dhe ngjarja po hetohet si rast dhune.
Nga ana tjetër, Sekretari i Sigurisë së Shtetit, Juan Pablo Hernández, deklaroi se deri tani janë dokumentuar pesë raste të tilla. Autoritetet kanë identifikuar dy automjete që mund të lidhen me ngjarjet, por ende nuk është arrestuar asnjë i dyshuar.
Historia ka shpërthyer edhe në rrjetet sociale, ku postimet për “Batmanin e Lagos de Moreno” kanë grumbulluar miliona shikime dhe mijëra reagime. Disa përdorues e shohin atë si një hero që po lufton krimin, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se fenomeni tregon humbjen e besimit të qytetarëve te organet ligjzbatuese.
Identiteti i personit misterioz mbetet ende i panjohur. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që pas këtyre sulmeve të mos fshihet vetëm një person, por një grup i organizuar. Ndërkohë, personat e gjetur të lidhur kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa hetimet vazhdojnë si për vjedhjet e motoçikletave, ashtu edhe për aktet e dhunës ndaj tyre.
Top Channel