“Në atë Bulevard ku sot festojnë lirinë flamingot, janë vrarë njerëz”, Rama flet për protestën në Tiranë: E konsideroj mesazh të rëndësishëm për qeverisjen

01/07/2026 14:08

Nga Landi i Renanisë Veriore i Vestfalisë, në Republikën Federale të Gjermanisë, kryeministri Edi Rama foli edhe për protestën që po mbahet në Tiranë tashmë prej më shumë se një muaji.

Gjatë fjalës së tij në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, Rama u shpreh se e konsideron një mesazh të rëndësishëm për qeverisjen e tij, e ndërsa shton se gjatë ditëve në protestë janë përfshirë aktorë dashakeqës që e kanë prishur tubimin.

“Shumë prej jush mund të keni dëgjuar për atë që u njoh si revolucioni i flamingove në vendin tim.
E konsideroj një mesazh të rëndësishëm për mua dhe qeverisjen time, po mundohem ta dëgjoj me shumë kujdes, jo duke numëruar njerëzit, por duke u përpjekur të kuptoj shqetësimet. Qeveria që resht së dëgjuari, resht së qeverisuri.

Ka pjesë të transformimit të Shqipërisë, sepse kemi jetuar në një kohë që protestat nuk lejoheshin dhe erdhëm në një periudhë kur protestat u bënë të rrezikshme. Në të njëjtin bulevard ku flamengot festojnë lirinë, kishim njerëz që u vranë… protestues që humbën jetët jo shumë kohë më parë.

Ajo që dua të them është që pas gjithë kësaj të mire erdhi e keqja, erdhi modeli i biznesit, protesta hyri në makinerinë e amplifikimit algoritmik dhe protesta u shndërrua në arenën e aktorëve dashakeq… Kjo është e shëmtuar, jo protesta, jo qytetarët, por shtrembërimi i realitetit dhe kjo nuk është një histori vetëm shqiptare.

Algoritmi nuk ka nevojë të shtypë përmes një policie sekrete apo duke rrahur njerëz në rrugë, apo duke mbajtur të burgosur politikë, por mbyt gjithçka tjetër përveç indinjatës. Kjo është ajo që shihni ju në Gjermani dhe ne në Europë”, u shpreh Rama.

Fjala e plotë: 

Faleminderit shumë! Ishte shumë ngushëlluese që ndërkohë që ishim të gjithë të shqetësuar se ishim vonë, na u tha, “merrni kohën tuaj.” Është një “hap i mirë” për Gjermaninë që të mos jetë në kohë dhe që të mos shqetësohet për këtë gjë.

Kështu, faleminderit për këtë mundësi dhe më lini të ndaj me ju disa mendime rreth asaj për të cilën mu kërkua të flas, inteligjenca artificiale, pushteti dhe progresi.

Është diçka e çuditshme dhe shumë e bukur të qëndrosh këtu dhe të flasësh për të ardhmen e inteligjencës brenda një ndërtese që dikur ishte një impiant çeliku. Një shekull më parë kjo sallë shndërronte çelikun në energji. Më pas bota një ditë ndryshoi. Qymyrguri mbaroi. Furrnaltat ranë në qetësi. Tymi u kthjell dhe shumë e panë rajonin dhe menduan se do të shndërrohej në një muze, kushtuar një epoke që tashmë kish mbaruar.
Por njerëzit e këtij rajoni qëndruan brenda skeletit të mrekullueshëm të ekonomisë së vjetër dhe në vend që të pyesnin veten si ta ruanin, bënë të vetmen pyetje që ka çuar përpara civilizimin përherë. Çfarë mund të bëhej kjo? Dhe përgjigja na rrethon të gjithëve sot.

Kështu që, unë mendoj që nuk ka vend më të mirë për të ngritur një tjetër pyetje. Nëse kjo ndërtesë që dikur mishëronte pushtetin industrial, si shfaqet pushteti sot? Ndoshta çka është edhe më e rëndësishme, kush e zotëron?
Më lini ta nis me një rrëfim.

Për pothuajse gjatë gjithë historisë njerëzore pushteti ishte diçka që mund të matej. Ishte qymyrguri nën tokë, çeliku në fabrika, nafta nën shkretëtirë, anijet që kalonin përmes oqeaneve, ushtri që ruanin kufijtë, fabrikat, bankat, territoret, popullsitë. Pushteti ishte i rëndë. Duke qenë se ishte i rëndë, ishte i rrallë. Duke qenë se ishte i rrallë, akumulohej. Duke qenë se akumulohej, historia u shndërrua në historinë e atyre fatlum apo mizorë mjaftueshëm për ta kontrolluar. Vendet e vogla u mësuan të jetonin me gravitetin, ndërkohë që vendet e mëdha e krijonin atë. Por inteligjenca sillet ndryshe. Inteligjenca është e lehtë, nuk gjendet e fshehur nën male, në pritje për t’u nxjerrë. Nuk i përket natyrshëm atyre që kanë lindur mbi minerale apo lumenj të caktuar.
Për herë të parë në historinë tonë, lënda e parë më e rrallë ishte dija dhe aftësia për të zbuluar dhe kjo po bëhet e bollshme dhe kjo ndryshon gjithçka, sepse bollëku rishpërndan pushtetin, epoka industriale shpërblente shkallën. Epoka e inteligjencës shpërblen imagjinatën.

Ky ndoshta është revolucioni i heshtur që shpaloset nën të gjithë titujt. Kur pushteti ishte qymyrguri vendi i vogël mbetej i vogël. Po kur pushteti është inteligjenca një vend i vogël mund të shndërrohet në laborator dhe ma ha mendja kjo është arsyeja pse më kanë ftuar këtu si përfaqësues i një prej laboratorëve më të vegjël në Europë.
Më lini t’ju them një histori për Shqipërinë, jo sepse është unike, por sepse na kujton se sa shpejt historia mund të përmbysë veten. Për thuajse gjysmë shekulli jetuam brenda ndoshta diktaturës më izoluese të këtij kontinenti. Një lloj Koreje e Veriut të Europës. Ndërtuam bunkerë në vend të urave, mure në vend të dritareve, dyshim në vend të besimit. Shteti dinte gjithçka për qytetarët. Qytetarët nuk dinin thuajse asgjë për shtetin. Dhe kur liria befas erdhi, trashëguam demokraci, por trashëguam edhe të kundërtën e saj.

Burokracia ndërtuar më shumë për kontroll se sa shërbime, letra, vula, firma, radhë, korridore të pafundme. Çdo procedurë administrative u shndërrua në një pelegrinazh. Çdo zyrë kishte një zyrë tjetër. Çdo firmë kërkonte një firmë tjetër dhe përtej çdo sporteli qëndronte dikush që zotëronte diçka më me vlerë sesa vetë dokumenti. Pushtetin për të marrë vendim. Çdo vulë ishte një sportel i vogël. Çdo firmë një kyç tjetër, çdo radhë tjetër, një tjetër kujtesë se pushteti i takonte ende dikujt tjetër dhe përtej këtyre shumë dyerve qëndronte një dorë e shtrirë, që ishte arkitektura e pushtetit që trashëguam dhe sfida përpara nesh nuk ishte kurrë të digjitalizonim formularet, por të ri konceptonim vetë pushtetin. Sepse dhe këtu vijmë te korrupsioni. Korrupsioni nuk është thjesht një dështim moral, është një dështim arkitekturor. Lulëzon kudo ku mbijeton pushteti i vendimmarrjes së panevojshme, rritet kudo ku paqartësia bëhet normale, jeton aty ku qytetarëve ju duhet t’i kërkojnë dikujt tjetër diçka e cila iu takon me të drejtë.

Bëmë një zgjedhje. Jo të modernizonim qeverisjen, por të ri shpiknim marrëdhënien midis qytetarëve dhe shtetit. Tullë pas tulle digjitale, shërbim pas shërbimi dhe sot Shqipëria ka më shumë sesa 1 000 shërbime publike plotësisht digjitale dhe për të gjitha këto shërbime të cilat përbëjnë afro 95% të totalit të shërbimeve, qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë askund dhe të takojnë askënd, thjesht kanë nevojë të klikojnë në telefonat e tyre.

Dhe shërbimet e mbetura janë të tilla, si për shembull ai i martesës, ende nuk ka një mënyrë online për ta bërë këtë gjë. E po kështu edhe shenjat e gishtërinjve dhe shërbime të tjera të ngjashme. Kështu që është qeveria që shkon te qytetari dhe jo e anasjellta. Por arritja më e madhe e këtij hapi të parë nuk ishte asnjëherë leverdia. Leverdia është e këndshme. Liria është transformuese sepse diçka e jashtëzakonshme ndodh kur qeveritë bëhen digjitale. Jo thjesht heq letrat, por eliminon mundësitë për pushtetin e padukshëm, heq takimet e panevojshme, favoret e panevojshme, eliminon rojtarët e panevojshëm e rezulton që është jashtë mase e vështirë që t’i japësh ryshfet një serveri. Digjitalizimi shpjegohet shpesh si reformë teknologjike dhe nuk është, do të ishte shumë modeste. Është një reformë demokratike. Ndryshon jo vetëm si funksionon shteti, ndryshon se kush zotëron pushtet brenda shtetit.

Dhe ndërkohë që e nisëm këtë rrugëtim një tjetër pyetje u ngrit: në qoftë se teknologjia mund të ndihmonte njerëzit të lundronin nëpër qeverisje atëherë pse jo inteligjenca vetë të mos bëhej pjesë e qeverisë?

Kjo pyetje u shndërrua në një person ose po themi në dikë që i ngjan. Ndërtuam inteligjencat artificiale që t’i orientonim njerëzit përmes shërbimeve publike dhe pastaj morëm një vendim që shumë e konsideruan ose vizionar ose tërësisht absurd. Në fakt disa herë mund t’ju rrëfej që ju përkisja të dy kampeve. I dhamë një fytyrë, një zë dhe një emër kësaj inteligjence. E quajtëm Diella. Në shqip Diella do të thotë diell dhe bëmë diçka që asnjë qeveri nuk e ka bërë deri më tani. E emëruam në nivel, në rol në nivel kabineti.

Titujt shkruan duke e quajtur e ardhmja, disa duke e quajtur cirk dhe kam mësuar në këtë profesion që kur admiruesit dhe kritikët bërtasin me të njëjtin volum zëri, zakonisht ke cekur diçka mjaft reale.
Megjithatë më lini që ta heq avatarin dhe titujt sepse historia reale është shumë më interesante sesa simbolet. Ne nuk e sollëm inteligjencën artificiale në qeveri për të zëvendësuar në nëpunësit publik. E sollëm për të ri konceptuar një prej vendeve ku qeverisja demokratike është më e cenueshme. Ushtrimi i vendimmarrjes administrative.

Për shembull, le të marrim prokurimin publik. Çdo qeveri duhet të blejë rrugë, barna, shkolla, teknologji. Prokurimi publik është ku shteti shndërron paratë publike në vlerë publike, por edhe ku paqartësia, kompleksiteti, diskrecioni shumë shpesh kanë bërë të mundur rrjedhjen e besimit publik. Kështu që i bëmë vetes një pyetje tjetër: Ç’do të ndodhte nëse inteligjenca artificiale do të bëhej një partner inteligjent përgjatë gjithë procesit të prokurimit publik, jo për të zëvendësuar njerëzit, por për të forcuar institucionet. Dhe sot po ndërtojmë pikërisht këtë gjë. Ëndrra ime është që ta finalizojmë dhe pastaj t’ia shesim Gjermanisë!

Po, sepse pas 35 vjetësh që Gjermania na gozhdon që duhet të luftojmë korrupsionin, do të ishte fantastike nëse do të kontribuonin që gjermanët të luftonin edhe ata disa prej korrupsionit të tyre. Një sistem prokurimi i inteligjencës artificiale që ndihmon çdo fazë të blerjes publike. Nuk do të hyj në shumë detaje sepse më thanë që më duhet të flas shkurtimisht edhe pse nuk është kurrë ide e mirë të ftosh dikë nga Ballkani dhe pastaj t’i kërkosh të mbajë një fjalë të shkurtër.

Megjithatë, ka diçka që më duhet ta theksoj. Demokracia nuk mund t’i delegohet një algoritmi. Gjykimi mbetet njerëzor. Llogaridhënia mbetet njerëzore, përgjegjësia mbetet njerëzore. Ajo çfarë bën inteligjenca artificiale është diçka që është më e thjeshtë, por dhe shumë herë më e thellë. U jep nëpunësve të ndershëm publik më shumë informacion para se të ushtrojnë gjykim dhe i bën vendimet e pandershme shumë më të vështira për t’u fshehur. Algoritmi nuk është i mençur, nuk ka ndërgjegje, nuk ka instinkt moral, por algoritmi nuk ka kushërinj, nuk mund të ftohet për darkë, nuk mund të marrë një telefonatë të fshehtë, nuk mund të vendosë që sot thjesht do të bëjë sikur nuk do të shoh. Çështja nuk ishte asnjëherë që të bënim makinerinë të fuqishme, por ishte pikërisht e kundërta, të ulnim atë lloj pushteti njerëzor, pushtetin për të vendosur në terr.

Ne nuk e zgjodhëm emrin Diella, rastësisht. Dielli nuk negocion me hijet, thjesht i largon ato. Përtej Diellës po ndërtojmë diçka që është më pak teatrale, më pak fotozhenike, por pafundësisht më të rëndësishme, e quajmë “govAI”. Nëse Diella është fytyra e transformimit tonë, “govAI” është sistemi nervor, është shtresa e inteligjencës që në heshtje funksionon nën institucionet e dukshme të shtetit, jo për t’i zëvendësuar ministritë, por për t’i lidhur ato. Jo duke zëvendësuar nëpunësit publik, por duke amplifikuar kapacitetet e tyre. Mendojeni si një inteligjencë institucionale, një qeveri që mund të lexojë më shpejt se çdo individ, të krahasojë më shumë dokumente sesa çdo departament, të kujtojë çdo precedent, të lidhë informacione që sot ndodhen të veçuara në burokraci të ndara dhe të mësojë në mënyrë të vazhdueshme, të përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme.

Inteligjenca artificiale shpesh përshkruhet si revolucioni i ardhshëm industrial, por mendoj se ky përshkrim është i paplotë, sepse për qeveritë është revolucion i administrativ. Për shekuj të tërë shtetet janë zgjeruar duke shtuar njerëz më shumë e më shumë. Çdo përgjegjësi e re nënkuptonte një tjetër zyrë, një tjetër departament, një tjetër arkivë, një tjetër nivel administrate dhe ju këtu në Gjermani jeni më të mirët për ta bërë këtë gjë.

Por me inteligjencën artificiale, kapaciteti nuk rritet vetëm duke u zgjeruar, por rritet duke u bërë më i mençur. Imagjinoni një ministri që mund të analizojë në moment mijëra faqe legjislacioni, imagjinoni inspektorë që identifikojnë rreziqe përpara se sa të bëhen standarde, imagjinojeni, politika sociale që dallojnë familjet në nevojë përpara se sa ato të harrohen, imagjinojeni, sistemet kujdesit shëndetësor që shpërndajnë burime përpara se spitalet të përmbyten nga barra. Imagjinoni administrata që shpenzojnë më pak kohë duke kërkuar informacion dhe më shumë kohë duke zgjidhur problemet. Kjo nuk është fantashkencë, po shndërrohet në një realitet administrativ e ndoshta askund ky transformim nuk është me kaq ndikim sa në projektin përcaktues të vendit tonë, anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Për ata që e shohin në distancë anëtarësimi është një negociatë politike. Po kështu është, por ndërkohë gjithkush që e ka kaluar këtë proces e ka kuptuar se është po kështu procesi më kërkues neurotik administrativ që ka krijuar ndonjëherë njerëzimi. 33 kapituj dhe tre kritere. Më shumë se 100 mijë faqe legjislacioni e rregullash europiane, mijëra direktiva, mijëra rregullore shtesë, mijëra vendime gjyqësore, raporte të panumërta zbatimi, krahasim konstant, monitorim konstant, përshtatje konstante dhe e gjithë kjo duhet të transferohet nga korpusi ligjor europian në korpusin tonë ligjor.

Për dekada të tëra e gjithë kjo punë është bërë me përpjekje të jashtëzakonshme duke i shtuar shërbimit publik, dy ushtri të mëdha, një ushtri juristësh dhe një ushtri përkthyesish e duke shpenzuar para të jashtëzakonshme nga taksat e qytetarëve europianë. Punë thelbësore, punë e nevojshme, por po kështu edhe punë që konsumonte shumë kohë e shumë para. Kështu që i bëmë vetes një tjetër pyetje në momentin që “Open AI” doli në dritë, sepse patëm shansin që një prej krijuesve të ishte një shqiptare. E mora në telefon menjëherë dhe i thashë, duket sikur mund ta ndihmosh Shqipërinë që të shkojë më afër e më shpejt drejt Bashkimit Europian dhe qeshi se kujtoj se po tallesha. Pastaj kur ja shpjegova më tha: “e bëshme.” Ndaj së bashku me Open AI krijuam një model që na bën tërësisht ndryshe nga çdo vend tjetër në kthimin e inteligjencës artificiale në një instrument për ta kryer këtë transferim të dokumentacionit brenda një kohe shumë të shkurtër me cilësi maksimale dhe për ta zbatuar brenda korpusit tonë ligjor.

Kështu inteligjenca artificiale nuk do të negociojë me Brukselin. As nuk duhet ta bëjë këtë gjë, por i gjithë gjykimi politik i përket qeverive të zgjedhura, legjitimiteti demokratik i përket qytetarëve, besimi midis kombeve kurrë nuk mund të gjenerohet nga algoritmi. Inteligjenca artificiale mund të largojë fërkimet, mund të shkurtojë kohët administrative, mund të shumëfishojë kapacitetet institucionale dhe për një vend si Shqipëria ky nuk është inovacion teknologjik, është një përshpejtues strategjik. Standardet mbeten ekzaktësisht të njëjtat, por shpejtësia dhe cilësia ndryshojnë. Ndoshta për herë të parë në historinë evropiane suksesi i një vendi kandidat do të varet më pak nga madhësia e burokracisë së vetë sesa nga inteligjenca e institucioneve të këtij vendi.

E di që po më mbaron koha sepse më kanë vendosur një kronometër aty. Kisha shumë më tepër gjëra interesante për të thënë, por për fat të keq duhet t’u vini fajin organizatorëve dhe mikpritësit. Unë jam thjesht një i ftuar dhe më duhet që të jem mirë me mikpritësin e të mos abuzoj me kohën, por dua ta përmbyll me diçka që e sjell gjithë këtë gjë nga e mira tek e keqja dhe e shëmtuara. Dhe e shëmtuara nuk është makineria. E shëmtuara është ajo që ndodh kur inteligjenca e jashtëzakonshme takon një model ekonomik që përfiton nga indinjata. Flasim pafund për inteligjencën artificiale dhe me shumë të drejtë flasim shumë më pak për vëmendjen artificiale. E megjithatë vëmendja është bërë burimi më i rrallë në demokraci.

Për brezat të tërë besonim se fuqia vinte prej informacionit. Sot informacioni është i bollshëm. Vëmendja është pushtet dhe kushdo formëson vëmendjen gjithmonë e më tepër formëson perceptimin. Kushdo i jep formë perceptimi, gjithmonë e më tepër formëson politikat.

Interneti premtoi të demokratizonte informacionin. Media sociale premtoi të demokratizonte zërin. Ajo çfarë pak veta parashikuan ishte shfaqja e një aktori të ri politik, algoritmi.

Ndryshe nga qeveritë, algoritmi nuk ka llogaridhënie demokratike. Ndryshe nga gjyqtarët, algoritmi nuk ka detyrimin e paanshmërisë. Ndryshe nga gazetarët algoritmi nuk ka etikë profesionale, ndryshe nga shkencëtarët algoritmi nuk ka një angazhim për të për sjellë të dhëna. Ka vetëm një objektiv, optimizimin. Jo për të vërtetën, jo për demokracinë, jo për mençurinë, për angazhimin dhe indinjata thuajse gjithmonë ka rezultate më të mira sesa nuanca. Dikush që thyen një piano tërheq gjithmonë më tepër vëmendjen sesa një pjesë muzikore e mrekullueshme nga Mozarti, luajtur nga një pianist i madh. Në rastin e parë salla do të ishte plot, në rastin e dytë salla do të ishte thuajse bosh.

Frika është më e shpejtë sesa të dhënat. Siguria udhëton më larg sesa e vërteta e gjithashtu edhe më shpejt sesa çdo dyshim. Konspiracioni është më shumë sesa arsyetimi. Jo sepse njerëzit janë bërë të paarsyeshëm, por sepse qeniet racionale marrin gjithmonë e më shumë vendime në një sistem të projektuar për të nxitur reagimin emocional. Algoritmi nuk e urren demokracinë, thjesht nuk e di çfarë është demokracia.

Disa javë më parë në vendin tim, ndoshta e keni parë, u shndërrua në laborator të vogël të kësaj dukurie të madhe. Shumë prej jush mund të keni dëgjuar për atë çfarë u njoh ndërkombëtarisht si “revolucion i flamengove”. Si kryeministër e konsideroj këtë protestë një mesazh të rëndësishëm për mua dhe për qeverinë time. Po dëgjoj dhe po përpiqem ta kuptoj këtë mesazh me shumë, shumë kujdes. Jo duke numëruar njerëzit në rrugë, e jo duke matur hashtag-et, por duke u përpjekur të kuptojë shqetësimet, ankthet, shpresat që i sollën njerëzit aty. Qeveria që rresht së dëgjuar, rresht së qeverisuri e çfarëdolloj konkluzioni që ne kemi arritur tashmë përveç çështjes, në fakt nuk mund të themi që, domethënë ka arritje të një gjëje të vlefshme sepse ka pjesë në transformimin demokratik të Shqipërisë sepse kemi jetuar në një kohë kur protestat nuk lejoheshin, marrëveshja ishte e detyrueshme, dakordësia ishte e detyrueshme dhe erdhëm në një periudhë ku protestat u bënë të rrezikshme dhe në të njëjtin bulevard ku flamingot festojnë lirinë, kishim njerëz që u vranë, protestues të cilët humbën jetët, jo shumë kohë më parë.

Por ajo çfarë dua të them është se pas gjithë kësaj të mire erdhi e keqja, modeli i biznesit. Protesta hyri në makinerinë e amplifikimit algoritmik dhe u shndërrua në arenën e aktorëve dashakeq. Realiteti kërkonte një binjak digjital. Çdo zë u shndërrua në rekomandim.

Çdo ekzagjerim u shndërrua në angazhim. Çdo reagim emocional u bë një tjetër sinjal që platformat të prodhonin edhe më shumë nga e njëjta gjë dhe çdo nuancë u zhduk. Konteksti u zhduk, kompleksiteti u zhduk dhe protesta online ndërkohë nuk po përshkruante protestën, por ishte një demonstrim më i madh, më i thjeshtë, më i zemëruar dhe në fakt më tej miliona njerëz, të cilët nuk kishin vënë as këmbën në Shqipëri, nuk përjetuan vetë demonstratën, por interpretimin e algoritmit të kësaj demonstrate dhe realiteti digjital u bë më ndikues sesa ai fizik dhe kjo është e shëmtuar. Jo qytetarët, jo protesta, shtrembërimi, zëvendësimi i realitetit përmes optimizimit dhe kjo nuk është një histori vetëm shqiptare.

Komenti i fundit, demokracitë janë duke dëmtuar veten. Kam frikë deri në një pikë moskthimi, sepse demokracitë, të mëdhatë, duke filluar që këtu e në vende të tjera të mëdha ku nuk ka dyshim që ka demokraci në veprim, ende nuk kanë gjetur kurajën për të bërë dallimin midis lirisë së shprehjes të fjalës dhe lirisë së shpërndarjes. Trajtimi i lirisë së shpërndarjes apo të shtrirjes si zgjatimi i lirisë së fjalës do të thotë të heqësh dorë nga e vërteta, të heqësh dorë nga nuanca, të heqësh dorë nga dyshimet dhe të bësh apo të lësh të ndodhë diçka që diktatura e ka bërë gjithmonë.

Çdo diktaturë mbështetet te shpërndarja, te shtrirja në çdo mendje, te mbjellja në çdo tru të vërtetës së vetë zyrtare duke shtypur çdo alternativë tjetër dhe çdo mendim tjetër. Algoritmi nuk ka nevojë që të shtypë përmes një policie sekrete apo duke rrahur njerëz në rrugë apo edhe duke mbajtur të burgosur politikë.
Algoritmi thjesht mbyt gjithçka tjetër përveç indinjatës dhe kjo është ajo pastaj që ju shihni në Gjermani e ajo që shohim kudo në Europë, shohim si politika bëhet gjithmonë e më shumë një fushë betejë midis ekstremeve e se si qendra bëhet gjithmonë e më shumë një hapësirë e zbrazët ku çdo ekstrem që merr votat për të drejtuar vendin e që reket të vijë më shumë në qendër prodhon një tjetër ekstrem që është edhe më keq se çka qenë ky ekstrem apo se ç’është konsideruar të ishte. Cili është fundi i kësaj? Nuk e di.

Gjëja më e mirë e të qenit kryeministër i Shqipërisë është që nuk supozohesh të ndreqësh problemet e botës dhe nuk supozohet që t’u japësh përgjigje pyetjeve që Franca, Gjermania e të tjerë duhet t’u përgjigjen më mirë herët, sesa vonë.

 

 

 

Top Channel