Ditë kritike për Kosovën/ Presidenti dhe Specialja në qendër të zhvillimeve, kërkohet zgjidhje për krizën e thellë politike

06/10/2026 09:44

Kosova përballet sot me një ditë vendimtare politike, pasi skadon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Në të njëjtën kohë, mbetet i papërfunduar edhe procesi parlamentar për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke bërë që dy zhvillimet të lidhen drejtpërdrejt me njëra-tjetrën.

Deri në orët e mëngjesit nuk është paralajmëruar zyrtarisht ndonjë seancë e Kuvendit apo mbledhje e komisioneve parlamentare. Megjithatë, gjatë ditës mund të ketë thirrje për një seancë të jashtëzakonshme, në një përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik.

Zgjedhja e presidentit – Nëse Kuvendi arrin të zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues, legjislatura do të vazhdojë mandatin dhe deputetët do të mund të vijojnë procedurat për çështjet që kanë mbetur pezull.

Një prej tyre është projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili ende nuk e ka përfunduar procesin parlamentar.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, u ka bërë thirrje deputetëve që gjatë ditës të votojnë si presidentin e ri, ashtu edhe ndryshimet për Dhomat e Specializuara. Sipas tij, të dyja çështjet lidhen me nevojën për funksionimin e institucioneve dhe shmangien e një tjetër cikli zgjedhor.

Ngërçi – Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin deri në përfundimin e afatit kushtetues, atëherë pritet shpërndarja e Kuvendit dhe Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo do të nënkuptonte edhe ndërprerjen e punës së kësaj përbërjeje parlamentare dhe pamundësinë për të miratuar në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Pikërisht për këtë arsye, dita e sotme konsiderohet si një afat kyç edhe për këtë çështje.

Paqartësi – Një tjetër pikë që mbetet e paqartë lidhet me ushtrimin e kompetencave të presidentit në rast të shpërndarjes së Kuvendit.

Mandati gjashtëmujor i Albulena Haxhiut si ushtruese e detyrës së presidentit ka përfunduar, ndërsa Kushtetuta nuk përcakton në mënyrë të qartë se kush i ushtron kompetencat presidenciale pas përfundimit të këtij afati.

Kjo krijon një situatë të pazakontë institucionale pikërisht në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

Dy skenarë – Në fund të ditës, skenari politik mund të ndahet në dy rrugë kryesore: Zgjedhja e presidentit: Kuvendi vazhdon punën dhe mund të vijojë me miratimin e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Dështimi i zgjedhjes së presidentit: Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa proceset e papërfunduara parlamentare mbeten pezull.

Për momentin, mbetet e paqartë nëse deputetët do të mblidhen gjatë ditës. Vendimi për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme mund të jetë përcaktues për atë se cili prej këtyre dy skenarëve do të materializohet.

Top Channel