Bosnje-Hercegovina i ndalon hyrjen Milan Radoiçiçit, i dyshuari për sulmin në Banjskë mund të jetë arratisur në Rusi

20/11/2026 12:38

Milan Radoicicit iu mbyll një derë për t`i shpëtuar drejtësisë.

Autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë vendosur t`i ndalojnë hyrjen në vend të dyshuarit për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës 24 shtatorin e vitit 2023.

Sipas burimeve të sigurisë të cituara nga Radio Evropa e Lirë, vendimi është marrë pasi Radoiçic është cilësuar kërcënim për sigurinë kombëtare. Institucionet boshnjake nuk kanë dhënë hollësi mbi arsyet konkrete të këtij vlerësimi. Vendimi parashikon refuzimin e hyrjes ose ndalimin e tij në kufi, në rast se tenton të hyjë në territorin boshnjak.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur vendndodhja e tij mbetet e panjohur, pasi Gjykata e Lartë në Beograd ka urdhëruar paraburgimin dhe shpalljen e tij në kërkim, pas mosparaqitjes në polici më 15 nëntor, në kuadër të masave të mbikëqyrjes për çështjen e Banjskës.

Ministria e Brendshme e Republikës Sërpska ka mohuar informacionet se Radoiçic ndodhet në këtë entitet ose se mbrohet nga strukturat e saj policore. Ditët e fundit kanë qarkulluar sakaq edhe pretendime se ai mund të jetë larguar nga Serbia drejt Rusisë, por autoritetet serbe dhe pala ruse nuk i kanë konfirmuar këto informacione.

Milan Radoiçic ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic shqiptar, ndërsa gjatë përleshjeve humbën jetën edhe tre sulmues serbë. Në Kosovë, ai është njëri prej 45 personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë dhe po gjykohet në mungesë.

Ndërsa në Serbi vazhdon të jetë nën hetime për vepra penale që lidhen me armëmbajtjen dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, pa u ngritur ende aktakuzë ndaj tij, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë vendosur sanksione ndaj tij për përfshirje të dyshuar në krim të organizuar dhe korrupsion.

Top Channel