Anglia “i përgjigjet” Trump/ SHBA tërheqin trupat pas dyshimeve për terrorizëm, Burnham: Baza ishte e sigurt

06/10/2026 11:16

Baza ajrore britanike Fairford, ku ishin dislokuar avionët e rëndë strategjikë bombardues amerikanë B1, B2 dhe B52, është e sigurt, deklaron zyra e Kryeministrit britanik Andy Burnham.

Deklarata vjen pas vendimit të Pentagonit për largimin e tyre nga baza britanike, pas incidentit në afërsi të kësaj baze ajrore.  Largimi i bombarduesve strategjikë amerikanë është realizuar ditën e diel.

Baza britanike ishte objekt i një sulmi të dyshuar terrorist më datën 27 shtator, ku pesë të dyshuar në mes të 20 janë arrestuar me dyshimin për vendosje eksplozivesh! Të pestë të arrestuarit, mes tyre edhe një britaniko-iranian, janë liruar me kusht nga gjykata, për hetime të mëtejshme për sulmin terrorist që mendohej se do të realizohej më 1 Tetor!

Amerikanët, përmes Presidentit Trump, janë shprehur të pakënaqur për lirimin e të ndaluarve, pasi dyshohet se Irani qëndron pas këtij komploti! Zëdhënësi i Downing Street nuk konfirmoi nëse ka pasur ndonjë bisedë telefonike me Trump dhe kryeministrin Burnham. Britanikët duken të vendosur në mosndryshimin e qëndrimit të tyre për këtë bazë ajrore mjaft të rëndësishme dhe thonë se qeveria po investon 470 milionë sterlina për sigurimin e bazave të veta ushtarake në mbarë ishullin!

Sipas zyrtarëve amerikanë, kërcënime specifike ishin identifikuar 24 orë përpara largimit të 12 bombarduesve strategjikë amerikanë nga baza britanike. Baza Fairford është një bazë e rëndësishme për operacionet ushtarake amerikane dhe konsiderohet si baza e preferuar për bombarduesit amerikanë në Evropë dhe për Komandën amerikane të Goditjeve Globale të forcave ajrore amerikane.

Top Channel