Pensionistët paguajnë, por kontributet s’u kthehen/ Qeveria mendon t’u rikthejë paratë, rillogaritje pensioni ose pagesë shtesë

05/10/2026 20:08

Pensionistët që vazhdojnë të punojnë dhe paguajnë sigurime shoqërore mund të përfitojnë në të ardhmen nga kontributet që derdhin.

Qeveria po shqyrton mundësinë që këto kontribute të sjellin një rillogaritje të pensionit ose një pagesë shtesë për çdo vit sigurimi pas daljes në pension.

Kjo çështje u ngrit edhe në Komisionin për Bujqësinë, ku deputeti i PD, Igli Cara, propozoi që pensionistët e punësuar të përjashtohen nga pagesa e kontributeve shoqërore.

“Megjithëse janë në marrëdhënie pune, paguajnë sërish sigurime shoqërore. Me përfaqësues të tyre kemi konstatuar që e quajnë barrë të tepërt. A është e drejtë që pas kaq shumë vitesh të paguajnë sërish? Po në këto vite, a do t’u kthehet më mbrapsht ajo që bëjnë te sigurimet shoqërore? Në këtë periudhë, për disa arsye, pensionistët i janë kthyer marrëdhënies së punës”, u shpreh deputeti demokrat, Igli Cara.

Por propozimi i Carës u rrëzua në komision. Qeveria kundërshton përjashtimin nga kontributet me argumentin se sistemi i sigurimeve shoqërore funksionon mbi parimin kontributit dhe jo mbi moshën.

“Qeveria nuk mbështet përjashtimin nga pagesa e kontributeve. Së pari, sistemi i sigurimeve shoqërore ndërtohet mbi parimin kontributiv, jo mbi bazën e moshës. Këto kontribute financojnë edhe pensionet aktuale. Përjashtimi nga ky detyrim do të reduktonte të ardhurat e sistemit”, tha zv.ministrja e ekonomisë, Olta Mananji.

Sipas zv.ministres së Ekonomisë, Olta Manjani, me reformën e re të skemës, që po hartohet në bashkëpunim me Bankën Botërore, po shqyrtohen dy alternativa për t’u dhënë vlerë kontributeve të paguara nga kjo kategori.

“Rillogaritja e pensioneve mbi bazën e kontributeve shtesë ose dhënia e një pagese për çdo vit sigurimi pas daljes në pension. Nuk dëmton skemën në këtë mënyrë”, tha ministrja.

Mbi 164 mijë është numri i të punësuarve mbi 64 vjeç, ndërsa pensionistët e vetëpunësuar janë aktualisht të përjashtuar nga pagesa e sigurimeve shoqërore.

Numri i të punësuarve mbi 64 vjeç është mbi 164 mijë persona, nga të cilët të vetëpunësuarit janë të përjashtuar nga pagesa e sigurimeve shoqërore.

 

Top Channel