Shpërthim i fuqishëm në Monako/ Plagoset oligarku ukrainas dhe familja e tij, hetohet pista terroriste

30/06/2026 08:16

Një shpërthim i fuqishëm tronditi mbrëmjen e së hënës Principatën e Monakos, duke lënë tre persona të plagosur dhe duke vënë në lëvizje autoritetet, të cilat po e hetojnë ngjarjen si një sulm të mundshëm terrorist.

Policia ka nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili dyshohet se është larguar menjëherë pas shpërthimit.

Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ndodhi në hyrje të Fondacionit Cuomo, në lagjen Moulins, dhe dyshohet se u shkaktua nga një bombë e vendosur në katin përdhes të një pallati. Dëshmitarët kanë deklaruar se pak çaste para shpërthimit një person kishte lënë disa çanta në vendngjarje, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që të jetë përdorur një mjet shpërthyes i improvizuar.

Nga shpërthimi mbetën të plagosur tre anëtarë të së njëjtës familje me shtetësi ukrainase: një burrë dhe një grua rreth moshës 50-60 vjeç, si dhe djali i tyre adoleshent. Dy të rriturit u transportuan në Spitalin Pasteur në Nicë, ndërsa i mituri u dërgua në Spitalin Pediatrik Lenval. Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

Sipas mediave franceze, objektivi i mundshëm i sulmit ishte biznesmeni ukrainas Vladimir Ermolaev, bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tij. Revista Forbes e rendit Ermolaev në vendin e 23-të mes 100 ukrainasve më të pasur. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e personit që ishte në shënjestër.

Menjëherë pas shpërthimit, zona u rrethua nga forca të shumta policie dhe zjarrfikëse. Kamerat e sigurisë dyshohet se kanë filmuar një burrë duke lënë një çantë shpine në zonë pak para shpërthimit, ndërsa kërkimet janë shtrirë edhe në qytetin fqinj Beausoleil, ku besohet se është arratisur i dyshuari.

Në operacion janë përfshirë si autoritetet e Monakos, ashtu edhe forcat e emergjencës nga Franca fqinje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur motivin e sulmit dhe për të identifikuar autorin.

Fondacioni Cuomo është një organizatë bamirëse që vepron kryesisht në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, me fokus në arsim, zhvillim social dhe mbështetjen e komuniteteve në nevojë.

Top Channel