Ndërrojnë jetë dy oficerë policie të burgut 313/ Dyshohet se pësuan atak kardiak, reagon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve: Mirënjohës për kontributin e tyre të vyer

30/06/2026 09:47

Dy oficerë policie kanë ndërruar jetë në burgun 313, njëri pas tjetrit.

Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha fillimisht ka ndërruar jetë nga problemet me zemrën Zog Muhametaj dhe më pas në mesnatë Pëllumb Vrana.

Rreth orës 21.36 minuta të mbrëmjes kur po ndërrohej turni, Muhametaj ka qenë duke bërë instruktazhin e stafit që do merrte shërbimin dhe siç raportojnë dëshmitarët atij i ka rënë të fikët. Sipas informacioneve paraprake është thirrur mjekja dhe infermierja e IEVP pas 3 minutash dhe ka konstatuar që efektivi ka qenë pa puls, pra pa shenja jete. Menjëherë është dërguar urgjent me autoambulancë për në Spitalin Ushtarak i shoqëruar edhe nga infermieria e burgut.

Atje është tentuar për ta kthyer në jetë por fatkeqësisht nuk është bërë e mundur, ndërkohë janë dokumentuar me anë të kamerave të gjitha veprimet e stafit në burg.

Zog Muhametaj, 62 vjeç lindur e banues në Tropojë, ka filluar për herë të parë punën në burgje më 2015 dhe në 2023 ka filluar në burgun Jordan Misja në Tiranë ku dhe shërben si specialist informacioni me gradën Komisar.

Mbas kësaj, siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, kur po kryheshin veprimet hetimore, Pëllumb Vrana, me detyrë teknik i kamerave, 62 vjeç, banues në Tiranë, në orën 24:00 gjendej në zyrën e Drejtorit të institucionit dhe po këqyrte kamerat bashkë me Drejtorin e Policisë, Shefin e Sektorit të SHKB dhe Shefin e Sektorit të Kamerave në Drejtorinë e Policisë.

Ata kanë qenë duke shikuar kamerat në zyrë dhe, në një moment, Pëllumbit i ka rënë të fikët, por edhe pse i është dhënë menjëherë ndihma nga të pranishmit dhe infermierja e institucionit dhe pasi i ka ardhur pulsi dhe është dërguar menjëherë me ambulancën e institucionit te Urgjenca e QSUT dhe aty, rreth orës 01:00, ka humbur jetën.

Njoftimi:

Një ngjarje e rëndë ka prekur familjen e madhe të sistemit penitenciar shqiptar. Gjatë ushtrimit të detyrës, dy punonjës të IEVP “Jordan Misja”, Zog Muhametaj, Specialist i Informacionit me gradën Komisar, dhe Pëllumb Vrana, Teknik i Kamerave, me graden Kryeinspektor, humbën jetën si pasojë e gjendjeve të papritura shëndetësore.

Rreth orës 21:36 të datës 29 qershor 2026, Zog Muhametaj, gjatë instruktazhit të stafit për ndërrimin e shërbimit, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore. Kolegët e pranishëm dhe personeli shëndetësor i institucionit ndërhynë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke e transportuar me urgjencë me ambulancën e IEVP-së drejt Spitalit Ushtarak. Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera të ekipit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetojë.

Pak orë më vonë, rreth orës 00:00 të datës 30 qershor 2026, edhe Pëllumb Vrana, gjatë ushtrimit të detyrës në ambientet e institucionit, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë iu dha ndihma e parë nga kolegët dhe infermierja e institucionit, ndërsa më pas u transportua me urgjencë drejt QSUT-së. Rreth orës 01:00, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë.

Zog Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015, ndërsa prej vitit 2023 shërbente në IEVP “Jordan Misja”.

Me arsim ushtarak dhe gradën Komisar, ai u dallua për profesionalizmin, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë në detyrë.

Pëllumb Vrana, në detyrën e Teknikut të Kamerave, dha një kontribut të vyer në funksionimin dhe sigurinë e institucionit, duke fituar respektin dhe vlerësimin e kolegëve për korrektësinë dhe përkushtimin e tij në punë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nderon me respekt kujtimin e dy kolegëve tanë dhe shpreh mirënjohjen për kontributin e tyre të vyer në përmbushjen e misionit të sistemit penitenciar shqiptar.

Profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre në ushtrimin e detyrës do të mbeten një shembull për institucionin dhe për të gjithë punonjësit e tij.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të ndjerëve .

Top Channel