Tërmeti në Venezuelë, banorët akuzojnë qeverinë për reagim të vonuar: Na lanë vetëm mes rrënojave

30/06/2026 10:34

Banorët e zonave të goditura nga tërmeti shkatërrues në Venezuelë po akuzojnë autoritetet për reagim të vonuar dhe mungesë ndihme në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Sipas bilancit zyrtar, tërmetet e javës së kaluar kanë shkaktuar të paktën 1.700 viktima, ndërsa shumë persona rezultojnë ende të zhdukur.

Familjarët e të bllokuarve nën rrënoja thonë se orët dhe ditët e para pas katastrofës u humbën pa mbështetjen e duhur nga shteti. Shumë prej tyre pretendojnë se u detyruan të gërmonin vetë me duar, lopata dhe mjete të improvizuara për të shpëtuar të afërmit e tyre.

Banorë të qytetit bregdetar La Guaira thanë se ekipet zyrtare të shpëtimit mbërritën vetëm dy ditë pas tërmetit, ndërsa ndihma fillestare erdhi kryesisht nga vullnetarët dhe komuniteti lokal. Ata e cilësojnë reagimin e qeverisë si “frustrues” dhe “të pafuqishëm”.

Presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez e ka cilësuar ngjarjen si “katastrofën natyrore më brutale” në historinë e Venezuelës. Megjithatë, familjarët e viktimave dhe të zhdukurve kërkojnë më shumë transparencë dhe angazhim, duke paralajmëruar se shumë trupa mund të mbeten përgjithmonë nën rrënoja.

Top Channel