Aleanca e Profesionistëve të Lirë kundërshton Paketën Fiskale 2027: Rrezikohet rritja e barrës tatimore dhe konkurrueshmëria e biznesit
Bordi i AKEP-it ka miratuar rregulloren e re për mbrojtjen e konsumatorëve të telefonisë celulare, e cila parashikon një sërë ndryshimesh që lidhen me vlefshmërinë e kartave SIM, kreditin e papërdorur dhe tarifat mujore.
Sipas rregullores së re, kartat SIM do të kenë vlefshmëri 12-mujore, kredia monetare do të ketë një afat minimal prej 180 ditësh, konsumatorët do të mund të kërkojnë rimbursimin e kreditit të papërdorur kur kalojnë te një operator tjetër, ndërsa nga 1 janari 2027 do të kufizohen klauzolat për rritjen automatike të tarifave mujore kur vlera e ardhshme nuk përcaktohet në kontratë.
Njoftimi i plotë:
AKEP miraton rregulloren e re për konsumatorët dhe autorizon testimin e teknologjisë D2D – IMT
Më 29 tetor 2026, Bordi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) zhvilloi mbledhjen e radhës, gjatë së cilës miratoi ndryshime në kuadrin rregullator për mbrojtjen e konsumatorëve dhe autorizoi testimin e teknologjisë satelitore Direct-to-Device (D2D – IMT).
Mbrojtje më e madhe për konsumatorët
Rregullorja e re parashikon risi konkrete për përdoruesit e telefonisë celulare: vlefshmëri 12-mujore të kartës SIM, afat minimal prej 180 ditësh për kredinë monetare, mundësi rimbushjeje me vlera të ulëta, si dhe të drejtën për të kërkuar rimbursimin e kreditit monetar të papërdorur kur numri portohet te një operator tjetër.
Rregullorja parashikon gjithashtu më shumë transparencë për tarifat dhe ruajtjen e numrit celular për të paktën 12 muaj pas çaktivizimit.
Nga 1 janari 2027, nuk do të lejohen klauzola që parashikojnë rritje automatike të tarifave mujore në përqindje ose sipas indekseve të ndryshueshme, përfshirë Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), kur vlera konkrete e tarifës së ardhshme nuk është përcaktuar në momentin e lidhjes së kontratës.
Masat do të zbatohen sipas afateve të përcaktuara në rregullore, duke nisur nga data 1 janar 2027.
Gjithashtu Bordi i AKEP autorizoi kompaninë One Albania për testimin gjatë një periudhe 120-ditore të teknologjisë Direct-to-Device (D2D), në bashkëpunim me Starlink/SpaceX.
Kjo teknologji mundëson lidhjen e drejtpërdrejtë të telefonave celularë të përshtatshëm me satelitët, duke synuar zgjerimin e mbulimit në zona ku sinjali i rrjeteve tokësore është i kufizuar.
Top Channel