Shpërblim për kapjen e peshkut sferik në Greqi, është helmues dhe shkakton çrregullime në ekosistemin detar

30/06/2026 09:46

Peshku sferik po përhapet me shpejtësi në Detin Egje. Ky peshk invaziv është helmues dhe po shkakton edhe çrregullime në ekosistemin detar.

Ministria greke e Zhvillimit Rural dhe e Ushqimit njoftoi se do të ofrojë shpërblim financiar për kapjen e peshkut sferik. Oferta për kapjen e këtij peshku invaziv vlen për peshkatarët profesionistë rreth Kretës dhe në jug të Detit Egje. Për çdo kilogram të kësaj specieje invazive do të paguhen 5,33 euro. Shoqatat e peshkatarëve e përshëndetën këtë program, pasi ky peshk ua vështirëson ndjeshëm punën peshkatarëve dhe po shkakton edhe çrregullime në ekosistemin detar.

Sipas Qendrës greke për Kërkime Detare (HCMR) kjo specie përshtatet shumë ndaj mjediseve të ndryshme dhe ka pak grabitqarë natyrorë, gjë që favorizon përhapjen e saj. Po ashtu peshku sferik shumohet me shpejtësi duke zhvendosur dhe kërcënuar speciet vendase.

Peshku sferik, i cili mund të arrijë rreth 40 centimetra gjatësi dhe peshë deri në 9 kilogramë e ka origjinën nga Oqeanin Indian dhe Paqësor dhe ka depërtuar në Detin Mesdhe përmes Kanalit të Suezit, ku u konstatua për herë të parë në vitin 2003.

Problem edhe në Turqi

Ministri grek i Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, Margaritis Skinas tha për mediat greke se “qëllimi ynë është të krijojmë stimuj, por, të them të drejtën, nuk besoj se do të shohim ndryshime spektakolare”, sepse sipas tij, zhdukja e plotë e kësaj specieje nuk është e mundur. Synimi kryesor është kufizimi i popullatës së peshkut sferë.

Në ujërat turke, ku ky peshk është kthyer në problem prej vitesh dhe ku gjithashtu jepen shpërblime për kapjen e tij, kjo masë konsiderohet e suksesshme.

Sipas Ministrisë turke të Bujqësisë dhe Pylltarisë vitin e kaluar u kapën rreth 290.000 ekzemplarë peshku sferik, gjë që mendohet se ka parandaluar shtimin e rreth 22 milionë individëve të rinj të kësaj specieje.

Top Channel