Zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA/ Mbi 43 milionë amerikanë kanë votuar para kohe, Teksasi kthehet në fushëbetejë kyçe
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se nuk ka mbajtur kurrë qëndrime antiamerikane dhe se gjithmonë ka besuar në rëndësinë e unitetit të Perëndimit.
Në një intervistë për grupin televiziv Mediaset, Meloni theksoi se marrëdhëniet e forta ndërtohen mbi ndershmërinë dhe se qëndrimet e saj kanë mbetur të pandryshuara ndër vite.
“Nuk kam mbajtur një qëndrim antiamerikan sot, nuk kam qenë e nënshtruar dje. Jam një person që beson se Perëndimi është më i fortë kur është i bashkuar”, u shpreh ajo.
Kryeministrja italiane komentoi edhe deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me ngritjen e qindra avionëve nga baza e NATO-s në Sigonella të Siçilisë gjatë Operacionit “Epic Fury”.
Sipas Melonit, numri i fluturimeve të përmendura nga Rutte ishte më i ulët se në vitet e mëparshme dhe bëhej fjalë për aktivitete të parashikuara në marrëveshjet ekzistuese, të cilat nuk kishin karakter agresiv.
“Ato ishin fluturime që janë pjesë e aktiviteteve për të cilat është dhënë leja përkatëse. Nuk bëhet fjalë për operacione me natyrë agresive. U dha një informacion që mund të interpretohej gabim, siç ndodhi edhe nga autoritetet iraniane. Duhet të jemi më të kujdesshëm”, tha ajo.
Duke folur për politikën e brendshme italiane, Meloni u ndal edhe te zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Republikës, që pritet të zhvillohet në vitin 2029. Ajo la të kuptohet se për herë të parë mund të thyhet tradita e zgjedhjes së një presidenti të mbështetur nga qendra e majtë.
“Nuk është e pamundur që edhe kjo tabu e madhe të kapërcehet, pra të zgjidhet një President i Republikës që nuk do të jetë i qendrës së majtë”, deklaroi kryeministrja italiane.
Top Channel