Netë tropikale/ Temperaturat do të ndihen deri në 41 gradë, parashikimi i motit për javën e ardhshme

19/06/2026 12:32

Kthjellime dhe kushte atmosferike të qëndrueshme është parashikimi i motit për javën e ardhshme.

Sinoptikani Elvi Jahaj u shpreh se temperaturat do të ndihen deri në 41 gradë, por nuk do të mungojnë as reshjet e shiut në zonat kodrinore dhe malore.

“Për fillim e javës së ardhshme do të kemi kushte të qëndrueshme, mot të kthjellët, por nuk përjashtohen vranësirat në ditën e martë e të mërkurë. Këto do të shoqërohen me reshje shiu në relievet kodrinore dhe malore.

Ndërkohë ditën e sotme pritet që temperaturat të shkojnë 36/37 gradë, ashtu edhe për ditët në vijim.

Sa i përket vlerave minimale në mëngjes, do të kenë rritje minimale deri në 24 gradë, pra netë tropikale.

Ditën e martë dhe të mërkurë, vlerat do të ndihen deri në 41 gradë.

Era do të fryjë kryesisht e lehtë, rreth 4/5 metra për sekondë’, u shpreh sinoptikani.

Top Channel