Bloomberg zbulon prapaskenat e marrëveshjes SHBA-Iran, ja si arritën ekipet negociatore të shpëtonin ujdinë pas sulmit izraelit në Liban

18/06/2026 12:56

Natën e së dielës, më 14 qershor, në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, vëmendja ishte në një ndeshje të UFC-së. Nën strukturën metalike që organizatorët e quajtën “Kthetra”, Justin Gaethje festoi fitoren e tij me një xhiro spektakolare jashtë tetëkëndëshit.

Në rreshtat e parë të tribunave, Donald Trump e shikoi spektaklin, pasi sapo kishte njoftuar se lufta me Iranin kishte mbaruar dhe se Ngushtica e Hormuzit po rihapej.

Disa orë më parë, ndërsa përgatitej të festonte ditëlindjen e tij të 80-të në Shtëpinë e Bardhë me familjen e tij, presidenti amerikan kishte shkaktuar një sensacion ndërkombëtar me një postim në Truth Social.

“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit është përfunduar. Urime të gjithëve. Unë mbështes plotësisht hapjen e Ngushticës së Hormuzit pa tarifa tranziti dhe heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të Shteteve të Bashkuara. Anije të botës, ndizni motorët tuaj. Lëreni naftën të rrjedhë”, shkroi ai.

Megjithatë, siç ka ndodhur shumë herë gjatë kësaj lufte, retorika e presidentit i ka tejkaluar faktet. Teksti i plotë i marrëveshjes nuk ishte bërë ende publik, nënshkrimi zyrtar ishte ditë larg dhe çështjet më të vështira programi bërthamor, sanksionet dhe fronti libanez mbetën të hapura.

Sulmi që pothuajse i hodhi në erë të gjitha pwrpjekjet diplomatike

Marrëveshja desh ‘u shemb’ për pak atë mëngjes. Rreth orës 6:45 të mëngjesit sipas kohës së Uashingtonit, Izraeli bombardoi objektiva në Bejrutin jugor. Negociatorët iranianë kishin paralajmëruar vazhdimisht se një veprim i tillë mund të çonte në një dështim përfundimtar të bisedimeve.

Qeveria izraelite pretendoi se ishte një përgjigje ndaj raketave të lëshuara nga Hezbollahu. Megjithatë, në Perëndim dhe në kryeqytetet arabe, shumë panë diçka të ndryshme: një përpjekje të fundit nga Benjamin Netanyahu për të prishur një marrëveshje nga e cila ai ishte përjashtuar në mënyrë efektive.

Teherani ngriu përkohësisht kontaktet. Katër orë më vonë, vetë Trump doli publikisht dhe kritikoi sulmin izraelit, duke deklaruar se “nuk duhej të kishte ndodhur”.

Bezdisja me aleatin e tij dikur të ngushtë nuk ishte më sekret. Sipas raportimeve, ai kontaktoi Netanyahun me telefon dhe shprehu zemërimin e tij, duke besuar se bombardimet kërcënonin të shkatërronin muaj të tërë përpjekjesh diplomatike.

Katari merr kryesimin

Pas marrëveshjes fshiheshin muaj të tërë ndërmjetësimi. Edhe pse Katari kishte luajtur një rol mbështetës përkrah Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë që nga marsi, kishte hezituar të merrte drejtimin në proces deri në mesin e majit.

Situata ndryshoi kur si Uashingtoni ashtu edhe Teherani i kërkuan Dohës të përfshihej më aktivisht.

Katari dërgoi fshehurazi një delegacion të nivelit të lartë në Teheran nëpërmjet Turqisë për të shmangur publicitetin. Qëllimi ishte të vlerësoheshin qëllimet e vërteta të udhëheqjes iraniane dhe të identifikoheshin kompromise të mundshme. Ndërmjetësit e Katarit ishin në kryeqytetin iranian pikërisht kur Trump ripërtëriu publikisht kërcënimin e veprimeve ushtarake, duke deklaruar se “koha po mbaron për Iranin”.

Një ditë më vonë, presidenti amerikan njoftoi se kishte shtyrë një sulm të planifikuar me kërkesë të Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, sepse negociatat serioze ishin duke u zhvilluar.

Top Channel