“Ndërtimet në zonat e mbrojtura sipas standardeve të BE”, PE miraton me 483 vota raportin për Shqipërinë. Bie amendamenti kundër projektit të dhëndrit të Trump në Sazan

17/06/2026 14:10

Parlamenti Europian ka miratuar në seancën e sotme rezolutën mbi raportin për Shqipërinë për vitin 2025, me 483 vota pro, duke sinjalizuar mbështetje të qartë politike për procesin e integrimit europian të vendit.

Teksa shumica e draftit ishte i njëjtë me atë që ishte miratuar pak kohë më parë në Komisionin e Jashtëm, eurodeputetët u vunë përballë dy amendamenteve për ndërtimet në zonat e mbrojtura, nisur edhe nga zhvillimet e fundit në Zvërnec dhe deklaratat për investimin në Sazan.

Mësohet se fillimisht deputetët e Parlamentit Europian rrëzuan një amendament nga shtatë eurodeputetë të të majtës, që përfshin deputetë radikalë, të cilët donin të përfshinin në variantin përfundimtar të rezolutës ngritjen e shqetësimit për marrëveshjen e qeverisë shqitpare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner.

“Parlamenti Europian shpreh shqetësime, për rrjedhojë, lidhur me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; bën thirrje për mbështetje të hetimit kundër korrupsionit që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompani private të sigurisë, siç ndodhi gjatë përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026”, thuhet në amendamentin e rrëzuar në mbledhjen e deputetëve.

Pas këtij momenti, 13 eurodeputetë të grupit të të gjelbërve, propozuan një amendament, i cili ndër të tjera kërkon edhe vendosjen e një moratoriumi për lejet e ndërtimit në zonat e mbrojtura deri në shfuqizimin e ligjit për këto zona.

“Parlamenti Europian u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të jenë shfuqizuar, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës”, thuhet në amendamentin e pranuar.

Amendamenti i rrëzuar

  1. Parlamenti Europian shpreh shqetësime, për rrjedhojë, lidhur me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; bën thirrje për mbështetje të hetimit kundër korrupsionit që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompani private të sigurisë, siç ndodhi gjatë përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026.

Amendamenti i pranuar

46a. Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur natyrore të Vjosës tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zona me vlera të njohura ekologjike; ndjek nga afër protestat paqësore të vazhdueshme në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të jenë shfuqizuar, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.

Top Channel