Koncert homazh për Lukë Kaçaj, përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes këngëtari lirik që regjimi i shkatërroi familjen

17/06/2026 20:29

Zëri që sfidoi kohën, Lukë Kaçaj, përkujtohet në një koncert homazh në Teatrin e Operas dhe Baletit këtë të premte në 100-vjetorin e lindjes së bass-baritonit të madh shqiptar.

Lukë Kaçaj ishte ndër të parët këngëtarë lirikë shqiptarë, që me zërin e rrallë la gjurmë në historinë e operës shqiptare.

“Përveç vokalit të jashtëzakonshëm për të cilin u cilësua në Rusi si Shaljapin shqiptar, ai vlerësohej po ashtu për një kulturë të madhe muzikore”, tha Solen Alla.

“Unë kam marrë leksione nga nxënësi i tij, më ka bërë gjithnjë një shprehje e tij, ‘kur këndon duhet me e dasht zanin'”, u shpreh Artur Vera.

“Më ka bërë një orë mësim, mbaj mend që tha ç’është kjo vajzë e vogël me zë kaq të ëmbël. Ishte një burrë dy metër i lartë”, tha Eva Golemi.

Talentit të tij të jashtëzakonshëm iu desh të përballej me periudha të vështira, por as koha dhe as sfidat nuk mundën të zbehin trashëgiminë që ai i la kulturës shqiptare.

I lindur në Malësi të Madhe, Kaçaj kreu Liceun “Illyricum“, ku mësues kishte dhe Gjergj Fishtën. Si solist në Teatrin e Operas, interpretoni dhjetëra role, më identifikuesi Don Bazilio nga “Berberi i Seviljes” i Rosinit.

Dënimi për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” gjatë diktaturës i ndërpreu karrierën dhe i shkatërroi familjen. Solistet Ramona Tullumani dhe Eva Golemi tregojnë pengjet e Kaçajt përmes kujtimeve nga gjyshërit, miqtë e baritonit.

“Tregon për dashurinë shumë të madhe që ka pasur me gruan e tij, Anën. Historinë që kur ka dalë nga burgu, ka vuajtur shumë dhe shkonte në varrin e saj, qante për të“, tha Ramona Tullumani.

“Ai e vuajti shumë tradhtinë dhe vdekjen e së shoqes. Është dhe një filmin që shkon te varri i së shoqes. Ishte pengu i tij më i madh”, u shpreh Eva Golemi.

Përmes kujtimeve, muzikës dhe homazhit për një zë që vazhdon të jehojë përtej kohës, artistët e TOB ia kushton mbrëmjen e 19 qershorit këtij artisti të madh të skenës.

Top Channel