Inside Story/ Tragjedia e Lozhanit, prindërit e autorit: E dënuan kot… Pse policia vendore nuk njoftoi RENEA-n?

10/06/2026 21:50

Autoriteti i Mbikqyrjes Policore ka nisur një hetim për aksionin nën dyshimet për “Shpërdorim detyre” në lidhje me veprimet e kryera në ngjarjen ku humbi jetën efektivi Enea Mekolli.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hitaj, pranoi publikisht se nuk kishte dijeni për aksionin, pasi ishte ndërmarrë nga Drejtoria Vendore e Korçës.

‘Nuk kisha dijeni, ishte e Korçës. Kane marrë pjesë 40 persona në aksion’ u shpreh Skënder Hita, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, dukshëm ishte i tronditur gjatë ceremonisë së varrimit të Enea Mekollit.

Sa i përket deklaratës së tij për AMP në lidhje me menaxhimin e riskut dhe arsyen pse nuk kishte thirrur forcat RENEA, ai e lidhte me faktin se i kërkuari nuk kishte precedent për vrasje…

Violand Braçellari, ishte i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe jo për vepra penale kundër personit. Kishin dijeni për faktin se mund të ishte i armatosur dhe strukturat e kanë marrë masat maksimale për të realizuar operacionin policor. Nuk ka asnjë të dhënë që ky person të ketë përdorur armë zjarri ndaj punonjësve të policisë edhe gjatë kontrolleve të mëparshme të kryera nga ana e policisë.

Ndërkohë, drejtori Bala sqaron dhe pozicionin e policisë në raport me thirrjen e RENEA-s, që sipas tij nuk u pa e nevojshme dhe për faktin se ka eksperiencën e mjaftueshme dhe ka vepruar dhe herë të tjera duke pasur rezultate pa praninë e tyre…

Nuk ka një procedurë standarde fikse, të cilat të normojnë në mënyrë  të prerë rastet kur njoftohet reparti RENEA. Gjithsesi, në konkluzion të analizës të bërë, nuk rezulton që rrezikshmëria e tij shoqëore të ishte e atillë që të kërkonte domosdoshmërisht njoftimin e repartit RENEA. Si drejtues policie, kam një karrierë të gjatë në strukturat e policisë, ku kam punuar, kam kryer shërbime për kapjen e personave në kërkim, me punonjës policie të strukturave vendore të policisë, pa ndihmën e repartit RENEA.

Prindërit e Violand Braçellarit mbetën në nivel mohues për akuzat ndaj djalit të tyre. Ata madje pretendojnë se ai ka shkuar në këtë gjendje për shkak të fajit të shtetit, duke hedhur akuza të forta për organet tona të drejtësisë. Por, kjo nuk justifikon vrasjen e policëve dhe veprat e tjera të rënda për të cilat do të flasim pak më poshtë…

‘E dënuan kot, pa prova, nuk kishte prova. U dënua 10 vite për dy gram hashash, nuk është e drejtë. I thanë që nëse do të të mbyllim punë na jep 7 milionë lekë. Më mirë t’ia jepnim, nuk pranoi sepse tha jam i pafajshëm dhe nuk kam pse ua jap. Komisariati i Maliqit donin lekë, e bënin për presion’ u shprehen prindërit e Violand Bracellarit.

Top Channel