Inside Story/ Përgjimet ekskluzive, si i kërcënonte Braçellari banorët: O spiun, do të tërheq zvarrë me kalë, do të…
“Inside Story” ka arritur të sigurojë disa përgjime të Violand Braçellarit para se të ndodhte ngjarja e rëndë.
Në një tjetër komunikim mjaft shqetësues, kuptohet forca e tij, që sipas bisedës pretendon se mund të shkarkojë edhe të gjithë komisariatin e Maliqit. Biseda është përgjuar më 14 maj 2020, në orën 12 e 10 minuta e 2 sekonda.
Violandi: Kanë vajtur në Lozhanë policët.
Personi: Eeee, janë lart o?
Violandi: Janë tërbuar fare, se i kam thënë unë se do ju heq nga puna bre.
Personi: Jo mo!?
Violandi: Në behar do i shkarkoj të tërë nga puna. Me shef komisariati e me të tërë.
Personi: U ke hapur punë.
Violandi: Jo mo, kur ta firmosin që s’ka drogë, do marr nja dy gazetarë e do i dërgoj atje, për ato parcelat që kanë marrë lekë për Vitin e Ri.
Nëse ka dyshime pse Violand Braçellari arriti t’i fshihej policisë dhe organeve të drejtësisë për 10 vite në arrati, ky komunikim mund të qartësojë shumëçka. Ai pranon hapur në telefon se ka paguar uniformat blu që të mbyllin sytë përpara parcelave të tij me kanabis. Madje, duke qenë se e kanë bezdisur me kontrolle të vazhdueshme, do t’i heqë të gjithë nga puna, duke thirrur mediat të filmojnë parcelat që mbrohen nga vetë policia. Marrëveshja e pretenduar nga vetë Braçellari se ka korruptuar policinë është përtej skandalozes.
“Rrethanat e tërë ngjarjeve pas vitit 2015 kanë treguar që ka pasur një bashkëpunim të segmenteve të caktuara të Policisë së Shtetit me elementë kriminalë për kultivimin e bimëve narkotike. Edhe ka qenë aq e zgjeruar kjo situatë sa kanabizimi i vendit solli një lloj inkriminimi të tërë strukturave të Policisë së Shtetit”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
“Që të jesh në arrati, ti ke nevojë të lidhësh kontakte, të paguash shuma të ndryshme mujore, të jesh në biseda për rrezikun që të kanoset dhe, padiskutim, pamë një element që ka mbijetuar. Unë përsëri preferoj ta quaj element të botës së krimit lokal dhe jo kombëtar, apo botës përtej, më duket peshë shumë e rëndë për atë individ”, u shpreh avokati Gjergj Nikolli.
“Policia ndër vite po vuan nga probleme endemike, siç është korrupsioni, mungesa e trajtimit financiar, mungesa e meritokracisë. Janë shumë faktorë që i demotivojnë edhe ata punonjës policie që janë të aftë dhe kanë energji dhe aftësitë e duhura për ta çuar më lart punën e policisë. Pra, duhet që të eliminohen këta faktorë, që nga mënyra e trajtimit financiar, qoftë trajtimi për banesa, qoftë trajtimi për kredi, ulja e nivelit të korrupsionit, një filtër sa më i madh i personave që kandidojnë në poste drejtuese, sepse ata janë menaxherët e policisë. Duhet të kalojnë sa më thellë dhe në mënyrë sa më të detajuar me të gjitha, me pasurinë, me personalitetin e tyre, me të kaluarën e tyre, pra duhet të kalojnë një filtër shumë të madh përpara se të marrin këto lloj pozicionesh pune”, u shpreh avokati Gjergj Nikolli.
Top Channel