Inside Story/ Përgjimet ekskluzive, si i kërcënonte Braçellari banorët: O spiun, do të tërheq zvarrë me kalë, do të…
Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Korçë më 3 tetor 2015 e cilësoi të ligjshëm arrestimin e Viloland Braçellarit dhe caktimin e masës “Arrest me burg” për të.
Skandali ndodh në Gjykatën e Apelit. Më 15 tetor 2015, Braçellari lirohet. Treshja e gjyqtarëve me kryesues Olsi Xhavella dhe anëtarë Stavri Kallco dhe Sotiraq Lubonja vendosën që të ndryshohet masa nga “Arrest me burg” në “Detyrim Paraqitje”.
“Mosvlersimi objektiv i të gjitha rrethanave rënduese për caktimin e një mase sigurimi dhe të tërave rrethanave që vijnë nga dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova sjell faktin që rrezikshmëria e personit nuk vlerësohet në mënyrë të drejtpërdrejt dhe sot që flasim tregoi që objektivisht gjykata ka dështuar të japë një masë të përshtatshme sigurimi siç ishte ajo e arrestit në burg’ u shpreh Eugen Beci, ish prokuror
“Besoj se është një është një proces kompleks. Duke nisur që me ndalimin dhe arrestimin e personit për lëndë kanabisi, në ato vitet e para 2014-2015, vendimin e gjykatës, provat, kundërshtitë nga pala e paditur, procesi gjyqësor dhe pse ai person është i lirë. Mosmbajtja në mbikëqyrje dhe informacioni kriminal që duhet thënë ka qenë edhe i cunguar”, u shpreh Gert Metani, ekspert sigurie
Ky vendim u konsiderua skandaloz pasi Braçellari ishte arrestuar në kushtet e flagrancës, gjë e cila ishte konstatuar nga gjykata e shkallës së parë. Telefoni i tij kishte biseda dhe prova të mjaftueshme që vërtetonin fajësinë dhe përfshirjen në veprën penale.
Kryesorja, ishte përsëritës në një vepër të tillë, pasi ishte dënuar më herët për “Kultivimin e narkotikëve në bashkëpunim”. Por, edhe pse përsëritës, Apeli mbajti një qëndrim qesharak.
Duke konsideruar elementet e analizuar më larg, Gjykata e Apelit argumenton se masa e sigurimit arrest më burg mund të vendoset vetëm atëherë kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës penale dhe autorit. Gjykata e Apelit çmon që masa shtrënguese “Arrest me burg” në rastin konkret është e papërshtatshme.
Referuar të njëjtit vendim, në dokumentin e ndryshimit të masës së sigurisë ka dhe një tjetër argumentim që të habit nëse kemi parasysh personalitetin e personit në fjalë.
Gjatë gjykimit nuk rezultoi asnjë rrethanë që të hidhte dritë mbi rrezikun e largimit dhe shmangies së të dyshuarit nga hetimi i çështjes, apo ndikimit të tij në marrjen dhe vërtetësinë e provave. Për këtë arsye, masa “Arrest me burg” duhet të ndryshohet në masën e sigurimit “Detyrim për paraqitjen në policinë gjyqësore”.
Nga 15 tetori 2015, momenti kur është nënshkruar ky vendim, Violand Braçellari ka qenë në kërkim dhe nuk është kapur, apo dorëzuar kurrë në polici. Ai vendim nxorri në liri një personazh me karakter të theksuar kriminal që kulmoi me vrasjen e policit.
Nga momenti i ndryshimit të masës së sigurisë, ndaj Violand Braçellarit ka pasur dhe 4 procedime të tjera, ku dy prej të cilave janë pushuar, në rrethana të dyshimta dhe dy të tjerë janë në gjykim.
Që nga ai moment kur masa e sigurisë u ndryshua, u hap dhe rruga që Violand Braçellari të forcohej ekonomikisht përmes aktivitetit kriminal. Ai krijoi bazën e tij në malin Bode ku shkaktoi tragjedinë.
“Po ta shikojmë në aspektin formal, del që ky ka qenë një biznesmen. Ky ka një stan, ky ka një biznes atje që merret me aktivitet dhe ky aktivitet është i administruar dhe I vendosur ndoshta me dokumenta të rregullta të biznesit, dhe vet ai, përvec biznesit dihet që është marrë me aktivitetin kriminal me drogën, e me këto e për shkak të kësaj ai ka qenë në kërkim” u shpreh Sadedin Fishta, drejtues i Sindikatës së policisë
Gjyqtari kryesues i trupës që i dha lirinë vrasësit, Olsi Xhavella, është shkarkuar nga detyra më 18 mars 2021, për shkak të problemeve të konstatuara në kriterin e pasurisë.
Gjyqtari tjetër në këtë çështje, Stavri Kallço, dha dorëheqjen më 10 shkurt 2020, për arsye shëndetësore, dy javë pasi u njoh me rezultatet e hetimit të kriterit të pasurisë.
Anëtari tjetër i trupës gjykuese, Sotiraq Lubonja, po ashtu u shkarkua nga Vettingu më 8 tetor 2018. Në dosjen e tij, ILDKP raportoi në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për deklarim të pasaktë, fshehje pasurie, deklarim të rremë dhe mungesë burimesh të ligjshme.
Pra, të 3 gjyqtarët që vendosën me urgjencë, ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest me burg”, në “Detyrim Paraqitje” për Violand Braçellarin sot janë të shkarkuar dhe janë jashtë sistemit të drejtësisë.
“Duke qenë se ky person, ka pasur mundësinë të komunikojë të ushtrojë një farë presioni, edhe të ketë biseda me persona të tjerë, duhet parë se kush kanë qenë personat e tjerë që ai ka arritur të korruptojë, kush kanë qenë personat që i ka ndihmuar në kohë të ndryshme, kush kanë qenë personat që i kanë mundësuar arratinë, sepse arratisja është faza më e kushtueshme”, u shpreh eksperti i sigurisë Gert Metani
“Hetimi duhet të jetë i thelluar në këtë drejtim duke patur në konsideratë edhe atë aktivitetin që në ai e kryente duke marrë lekë nga shteti, duke parë edhe faktin se si mund të vinte ditë për ditë në zona të banuara, pa u shqetësuar nga policia e shtetit dhe në fund nëse ka patur operacione për kapjen e tij dhe kanë dështuar, përse kanë dështuar dhe pse kanë qenë kallauzi brenda policisë së shtetit për këtë person të mos kapej dhe aq më tepër të vazhdojë veprimtarinë kriminale”, u shpreh ish prokurori, Eugen Beci
Por, këto materiale janë vetëm një pjesë e vogël e skandaleve të drejtësisë dhe forcave të rendit që i dhanë mundësinë një personazhi të rrezikshëm të kryente veprimtarinë kriminale. Hetime të tjera, përgjime dhe informacione ekskluzive për vendndodhjen e tij që nxjerrin blof drejtuesit e Policisë së Korçë për vlerësimin e situatës do të shfaqen në vazhdimin e këtij dokumentari.
Top Channel