Roli i Staraveckës në masakrën e 4 shkurtit ’44 me 81 të vrarë në Tiranë, debat mes historianëve Milo e Xhufi për librin e Naim Zotos

22/05/2026 20:14

Edhe kur kanë kaluar mbi 8 dekada, protagonistët dhe antagonistët e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri vijojnë të shkaktojnë debate mes historianëve dhe studiuesve.

Autori Naim Zoto publikoi një monografi për Xhelal Staraveckën, një prej figurave më të diskutuara gjatë luftës, që dezertoi nga Ushtria Nacional Çlirimtare për t’iu bashkuar më pas xhandarmërisë.

Pikëpyetja më e madhe rreth figurës së tij lidhet me dyshimet nëse ka qenë pjesëmarrës i masakrës së 4 shkurtit 1944 me 81 viktima civile në Tiranë. Ngjarja ndodhi në kohën kur pushtuesit nazistë ndërmorën Mësymjet armike të Dimrit 1943-‘44, me qëllim të frikësohej populli e të vendosej rendi që kërkonte regjimi gjerman i pushtimit.

“Në të gjitha dokumentet, shqiptare dhe të huaja del fare qartë që Xhelal Staravecka nuk ka lidhje me këtë ngjarje”, shprehet autori.

Zoto e solli këtë botim pas një pune gati 10-vjeçare kërkimore në arkiva, duke përfshirë në monografi dhjetëra dokumente dhe dorëshkrime për veprimtarinë e Staraveckës.

Ai del në përfundimin se Staravecka nuk ka qenë pjesëmarrës në ngjarjen e 4 shkurtit dhe pikërisht kjo temë solli një ballafaqim argumentesh mes historianësh.

“Ai s’ka lidhje me 4 shkurtin, sepse e ka marrë detyrën e komandantit të xhandarmërisë së Tiranës në 13 shkurt. Janë dokumentet me firmë e me vulë”, thotë Paskal Milo.

“Po sikur të ketë shkuar për të vënë provën që e ka vënë Kadri Cakrani si ushtar i thjeshtë. Të shkosh të bëhesh komandant i xhandarmërisë, nuk është nderi i madh, dihet çfarë ka ndodhur në Tiranë”, shprehet Pëllumb Xhufi.

“Ky libër është për ta vlerësuar ju, unë nuk marr guximin të bëj vlerësime që u takojnë historianëve. Dokumentet janë të gjitha origjinale. Çudia ime është si nuk vajti njeri të verifikojë kush ka qenë komandant i xhandarmërisë së Tiranës në 4 shkurt?”, shton autori Naim Zoto.

Historianët theksuan nevojën për më shumë studime edhe për figura të tilla kontradiktore, por kërkojnë të mos cenohet tabloja e përgjithshme të historisë shqiptare.

Top Channel