Video/ Më 11 korrik spektakli i Kanye West në Tiranë, nis puna për ndërtimin e stadiumit për 60 mijë spektatorë në Kashar

22/05/2026 10:27

Në Kashar ka nisur puna për ndërtimin e stadiumit provizor që do të presë super spektaklin e Kanye West më 11 korrik në Tiranë.

Lajmi u bë me dije nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja i cili ka ndarë pamje nga kantieri për ndërtimin e stadiumit të përkohshëm, me kapacitet 60 mijë persona

Në postimin e tij, ministri e cilëson këtë event si një produksion të përmasave dhe standardeve globale, që pritet të sjellë vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare për Shqipërinë dhe ta pozicionojë vendin në hartën e eventeve më të mëdha muzikore dhe kulturore.

Sipas tij, organizimi i një eventi të këtyre dimensioneve përfaqëson jo vetëm një moment të rëndësishëm artistik e kulturor, por edhe një mundësi të rëndësishme për promovimin e vendit, zhvillimin e turizmit dhe fuqizimin e ekonomisë lokale përmes ndikimit që sjell industria globale e muzikës, medias dhe entertainment-it.

Spektakli i Kanye West do të zhvillohet më 11 korrik në Tiranë dhe konsiderohet një nga eventet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri.

Top Channel