Denoncimi i Fiks Fare/ Gjyqtari Petrit Aliaj bëri Bektashinjtë me 160 ha në Ksamil, pas shkarkimit nga Vetingu ndërton pa leje në atë pronë!
Një histori e dhimbshme vjen këtë herë në Fiks Fare nga spitali i Shkodrës, ku prej disa ditësh ndodhet i shtruar në reanimacion 56-vjeçari italian Sergio Claudio Marchiteli.
I ardhur në Shqipëri pas problemeve familjare në Itali dhe me shqetësime të shëndetit mendor, ai tashmë ndodhet në gjendje të stabilizuar, por pa asnjë familjar apo njeri pranë që të kujdeset për të.
Alarmi është dhënë nga miku i tij shqiptar, Pjetër Vataj, i cili iu drejtua Fiks Fare me kërkesën që përmes ndërhyrjes së ambasadës italiane të bëhet i mundur rikthimi i Sergios në Itali.

Pjetri tregon se Sergio jetonte prej vitesh në Itali, por pas konflikteve familjare kishte vendosur të largohej dhe të vinte në Shqipëri. Fillimisht gjendja e tij ishte e mirë, por pak ditë pas mbërritjes u përkeqësua dhe përfundoi në urgjencë. Më pas ai u transferua në spitalin psikiatrik dhe më vonë në repartin e reanimacionit në spitalin e Shkodrës.
Sipas mikut të tij, Sergio nuk ka askënd në Shqipëri dhe ai vetë nuk mund të qëndrojë gjatë për shkak se jeton në Itali me familjen e tij. Ai pretendon gjithashtu se gjatë ditëve të para ka mbuluar edhe shpenzime për medikamente.

Fiks Fare kontaktoi drejtuesit e spitalit të Shkodrës, të cilët konfirmuan se pacienti ndodhet në reanimacion dhe se gjendja e tij është stabilizuar. Drejtoria e spitalit bëri me dije se ambasada italiane është vënë në dijeni për rastin, ndërsa për detaje mbi diagnozën dhe procedurat kërkoi një kërkesë zyrtare me shkrim.

Gazetarët e Fiks Fare verifikuan nga afër gjendjen e pacientit në spital, ku edhe vetë Sergio u shpreh se dëshironte të rikthehej në Itali.
Më pas, Fiksi kontaktoi ambasadën italiane në Shqipëri përmes numrit zyrtar të telefonit të publikuar në faqen e saj. Nga komunikimi me punonjësin e ambasadës u tha se institucioni kishte dijeni për rastin, por nuk kishte arritur të gjente asnjë familjar të shtetasit italian dhe as një kontakt telefonik të tij.

Pas pak minutash kërkimesh, Fiks Fare arriti të siguronte numrin e kontaktit të Sergios dhe ia përcolli menjëherë ambasadës italiane, me shpresën që tashmë të nisin procedurat për kontaktimin e familjarëve dhe kthimin e tij në Itali.
Top Channel